Alegri pas fitores së Milanit me Napolin: Djemtë ishin të shkëlqyer

Në fund të një nate që u komplikua më shumë seç pritej pas ndëshkimit me karton të kuq të Estupinan, por me tre pikë të tjera në xhep dhe kryesimin e tabelës, Masimiliano Alegri buzëqeshi i kënaqur.

Milani i tij fitoi 2-1 ndaj Napolit, duke regjistruar suksesin e katërt radhazi në kampionat (të pestin, duke përfshirë edhe Kupën e Italisë) dhe duke u ngjitur në krye bashkë me Romën e Napolin.

“Jam i lumtur, sepse ishte një test i rëndësishëm për ne. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në të dytën me penalltinë dhe kartonin e kuq na u desh të bënim një ushtrim të fortë mbrojtës. Djemtë ishin të shkëlqyer, por jemi vetëm në fillim. Duhet të shijojmë këtë fitore, ndërsa menjëherë të mendojmë për ndeshjen e fundit para pushimit”, tha Alegri pas sfidës.