SHBA dhe Izraeli drejt marrëveshjes për planin e Trump për paqe në Gaza, Hamasi duhet të japë dakordësinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për planin e Presidentit amerikan, Donald Trump, që synon t’i japë fund konfliktit në Gaza.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur i Axios, Barak Ravid, në një postim në platformën “X”, ku citon një zyrtar të lartë amerikan.

Sipas raportimit, përfaqësuesi i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, së bashku me dhëndrin e Trump, Jared Kushner, kanë zhvilluar bisedime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në kuadër të këtij propozimi për paqe.

Zyrtari i lartë amerikan cituar nga Ravid, theksoi se për finalizimin e marrëveshjes është e domosdoshme edhe dakordësia e Hamasit, çka mbetet ende një pikëpyetje.

Më herët gjatë ditës dje, Donald Trump deklaroi se shpreson të finalizojë një plan për paqe në Gaza në një takim që pritet të zhvillojë të hënën me Netanyahun.

Sakaq agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, nuk ka mundur të konfirmojë menjëherë këto raportime.