Gjermania i bie me 'sëpatë' ndihmës për zhvillim, shkurton buxhetin me afro 1 miliard euro! Çfarë pasojash sjell për organizatat humanitare
Në kohët kur mungojnë paratë, maten mirë shpenzimet: Gjermania shkurton buxhetin e ndihmës për zhvillim me afër 1 miliard euro. Organizatat humanitare ngrenë alarmin.
Nga do të vijnë paratë për ndihmën për zhvillim, kur vetë në Gjermani kërkohet të kursehet? Tani dihet: Gjermania do të japë më pak para për ndihmën për zhvillimin në të ardhmen, megjithë krizat në rritje. Para pak ditësh Bundestagu me votat e koalicionit qeverisës të CDU/CSU dhe SPD e shkurtoi buxhetin e Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) me 10.31 miliardë euro. Një rënie prej më shumë se tetë përqind. Do të mbetet e aftë për të vepruar politika gjermane e zhvillimit?
Shifrat janë të qarta; nuk ka asgjë për të zbukuruar, për këtë është vetëdijshme edhe ministrja gjermane e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan (SPD), por ajo kujton, se “jemi shumë larg marrëdhënieve amerikane – dhe kjo është e mirë dhe e drejtë”.
Radovan i referohet shkurtimeve edhe më masive të ndihmës për zhvillim nën Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Alabali Radovan përmendi një shembull: “Në Kenia, mbi 700.000 refugjatë, shumë nga Somalia, preken drejtpërdrejt nga shkurtimet e SHBA-së në Programin Botëror të Ushqimit.” Ata marrin vetëm një të tretën e racioneve ushqimore që u nevojiten. Uria dhe kequshqyerja po rriten në mënyrë dramatike. “Tensionet po rriten, shumë njerëz po detyrohen të ikin në zona të tjera dhe rajoni po destabilizohet gjithnjë e më shumë”, paralajmëroi ministrja gjermane 35-vjeçare. “Kjo është e papranueshme nga një perspektivë humane dhe gjithashtu nuk korrespondon me interesat e sigurisë së Gjermanisë.”
Çfarë pasojash sjellin shkurtimet për organizatat humanitare?
Shkurtimet që bën Gjermania në ndihmën për zhvillim kanë pasoja të rënda, sipas organizatave humanitare. Konkretisht, fondi i ndihmës emergjente akute, për të cilën është përgjegjëse Ministria Federale e Jashtme (AA), ka tani më pak se gjysmën e shumës në dispozicion krahasuar me vitin 2024: 1.05 miliardë euro në vend të 2.23 miliardë eurove.
Thorsten Klose-Zuber, Sekretar i Përgjithshëm i organizatës “Help – Hilfe zur Selbsthilfe” (Ndihmë – Ndihmë për Vetëndihmë) jep alarmin: “Me humbjen e ndihmës humanitare nga Shtetet e Bashkuara, si dhe me përgjysmimin e buxhetit gjerman, nuk jemi vetëm para problemeve financiare. Për shumë vite, ne mezi kemi arritur të arrijmë me ndihma gjysmën e njerëzve të prekur.”
Një vështrim pas në vitin 2022 tregon se sa shpejt dhe në mënyrë dramatike vazhdon spiralja e rënies: Që atëherë, buxheti gjerman i ndihmës emergjente është shkurtuar me një të tretën. “Vetëm shkurtimi gjerman, nga dy miliardë euro në një miliard, do të rezultojë në më shumë se katër milionë njerëz në të gjithë botën që nuk do të marrin më ndihma në ushqime”, kritikon Klose-Zuber. Ai vlerëson se numri i përgjithshëm i njerëzve në nevojë është më shumë se 320 milionë vetë.