Shkëndija e Tetovës fiton ndaj Sileksit dhe merr kreun e tabelës

Shkëndija e Tetovës ka treguar edhe një herë forcën e saj në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, duke marrë një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Sileksit të Kratovës në javën e tetë të kampionatit të Maqedonisë së Veriut .

Kampioni në fuqi dominoi pjesën më të madhe të lojës dhe arriti të zhbllokonte rezultatin në minutën e 50-të me Besart Ibraimin, i cili shfrytëzoi një aksion të shpejtë për t’i dhënë epërsinë kuqezinjve. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Albion Krasniqi vulosi triumfin me golin e dytë në minutën e 90+2’, duke i siguruar skuadrës së Tetovës tri pikë të arta.

Me këtë sukses, Shkëndija ngjitet në vendin e parë të renditjes me 20 pikë të grumbulluara. Megjithatë, skuadra ka një ndeshje më shumë të luajtur krahasuar me ndjekëset më të afërta, Struga Trim Lum dhe Vardari, që ndodhen në kuotën e 19 pikëve secili.