24 gola në pesë ndeshje, Ballkani, Prishtina dhe Malisheva fitojnë në udhëtim

Drita ka shënuar fitore komode në shtëpi ndaj Dukagjinit, në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës. “Intelektualët” morën pikët e plota me rezultat 3-1, pavarësisht se skuadra nga Klina ishte e para që zhbllokoi rezultatin. Mesfushori Dienit Isufi shënoi një gol të bukur në minutën e 20-të, por vetëm tre minuta më vonë Drita barazoi me Liridon Balajn (23’). Pas kësaj, vendasit dominuan plotësisht. Arb Manaj përmbysi epërsinë kundër ish-klubit të tij (54’), ndërsa Salifu Ibrahim vulosi fitoren në minutën e 86-të. Me këtë triumf, Drita ngjitet në pozitën e pestë me 8 pikë, ndërsa Dukagjini zbret në vendin e tretë me 13.

Ballkani regjistroi fitore të qartë në udhëtim, duke mposhtur Prishtinën e Re me shifrat 0-3. Almir Kryeziu ishte protagonist absolut me dy gola dhe një asist. Fillimisht, ai shërbeu Arbër Potokun për golin e parë (34’), ndërsa në pjesën e dytë shënoi dy herë (54’, 65’). Kampioni në fuqi mbetet i pamposhtur pas shtatë xhirove, me 15 pikë në vendin e dytë. Prishtina e Re mbetet në fund me 6 pikë.

Malisheva arriti një rikthim të madh në Skenderaj, duke përmbysur Drenicën nga 3-1 në 3-4. Ferati, Brruti dhe një autogol i Dasilvës i dhanë fitoren mysafirëve, të cilët tani kanë 10 pikë, ndërsa Drenica mbetet me 11.

Llapi siguroi fitoren e parë këtë sezon, duke mposhtur Gjilanin 4-1 në Podujevë. Golat për vendasit i shënuan Axel Gnapi (2), Lulzim Peci dhe Arbnor Ramadani, ndërsa për mysafirët realizoi Aganspahiq. Llapi shkon në kuotën e 6 pikëve, kurse Gjilani mbetet me 7.

Prishtina regjistroi një fitore të thellë ndaj Ferizajt (0-5). Muja, Ilievski, Zeqiri, Baftiu dhe Ahmeti ishin autorët e golave për ekipin e Arsim Thaçit. Ndeshja u shoqërua me incidente mes tifozëve, pasi “Plisat” nuk u lejuan të hynin në stadium, duke shkaktuar përplasje me vendasit dhe ndërhyrjen e policisë. Megjithatë, në aspektin sportiv, Prishtina merr kryesimin me 16 pikë.