Alarm për bombë në ambasadën e Moldavisë në Bruksel

Votues dhe zyrtarë janë evakuuar me urgjencë nga ambasada e Moldavisë në qendër të Brukselit, sot, 28 shtator, pas një alarmi për bombë, që më pas rezultoi të ishte i rremë.

Dy zyrtarë, kanë konfirmuar për Politico se ambasada ishte evakuuar menjëherë pas alarmit, dhe se procesi i votimit rifilloi pasi autoritetet policore dhanë dritën jeshile.

Mijëra moldavë po ushtrojnë të drejtën e votës për zgjedhjet parlamentare në vendin e tyre, nga kryeqyteti belg.

Një zyrtar tha pas evakuimit: Këto janë nga ato taktikat për të cilat kemi bërë thirrje më parë, shtypje e votuesve.

Qeveria e presidentes Maia Sandu ka paralajmëruar shpesh se Rusia po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet parlamentare dhe të pengojë përpjekjet e vendit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Partia në pushtet, Partia e Veprimit dhe Solidaritetit, ka deklaruar se synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Moldavisë, Stanislav Secrieru, ka paralajmëruar se Moska mund të përpiqet të frikësojë votuesit e diasporës, shumica e të cilëve dëshirojnë integrimin evropian të vendit.

Ai tha se votimi mund të përballet me “shkelje të mundshme si në zgjedhjet e mëparshme, si kërcënime të rreme me bombë ose protesta të orkestruara jashtë vendit“.

Teksa rezultatet pritet të dalin këtë të dielë, zyrtarët kanë paralajmëruar gjithashtu një fushatë të gjerë dezinformimi dhe tentativa ryshfeti për votuesit, njëjtë siç ndodhi në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.