Tanket izraelite futen në thellësi të Gazës, IDF vijon operacionin kundër Hamasit, mbi 70 të vrarë në 24 orët e fundit
Tanket izraelite po përparojnë më thellë në lagjet e banuara në qytetin e Gazës sot, pasi autoritetet lokale shëndetësore thonë se nuk janë në gjendje t’u përgjigjen dhjetëra thirrjeve të dëshpëruara, duke ngritur shqetësime në lidhje me fatin e civilëve në zonat e prekura.
Dëshmitarë okularë dhe punonjës shëndetësorë raportojnë se tanket izraelite kanë thelluar bastisjet e tyre në lagjet Sabra, Tel Al-Hawa, Sheikh Radwan dhe Al Nasser, duke iu afruar qendrës dhe zonave perëndimore të qytetit të Gazës, ku qindra mijëra njerëz janë strehuar.
Në 24 orët e fundit u raportua për më shumë se 70 viktima, informon “La Repubblica”.
Hamasi, dorëzimin e të cilit Izraeli e pretendon, tha të premten se nuk kishte marrë propozime të reja nga negociatorët pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha të premten se “një marrëveshje për Gazën” dukej e mundshme. Presidenti i SHBA-së është planifikuar të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
Hamasi gjithashtu njoftoi se 2 prej pengjeve mundën të iknin dhe po kërkohen nëpër rrugë, teksa i kërkoi IDF-së që të pushonte bombardimin për 24 orë, pasi ata mund të vriteshin gjatë sulmeve.
Vonë mbrëmë, shërbimet e emergjencës në Gaza raportuan se Izraeli kishte refuzuar 73 kërkesa, të dërguara përmes organizatave ndërkombëtare, për të shpëtuar palestinezët e plagosur në Qytetin e Gazës.
Autoritetet izraelite nuk kanë komentuar ende. Më parë, ushtria izraelite njoftoi se forcat e saj po zgjeronin operacionet në qytet dhe se pesë militantë që qëlluan një raketë antitank drejt trupave izraelite u vranë nga Forcat Ajrore Izraelite.
Sipas Ushtrisë Izraelite, në 24 orët e fundit, Forcat Ajrore goditën 140 objektiva ushtarake në të gjithë Gazën, duke përfshirë luftëtarë dhe infrastrukturë ushtarake.
Në një deklaratë të lëshuar më vonë, Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të paktën 77 persona ishin vrarë nga zjarri izraelit në 24 orët e fundit. Mijëra njerëz mbeten në qytetin e Gazës
Programi Botëror i Ushqimit vlerëson se 350,000 deri në 400,000 palestinezë kanë ikur nga Qyteti i Gazës që nga muaji i kaluar, megjithëse qindra mijëra mbeten atje. Ushtria izraelite vlerëson se rreth një milion palestinezë ishin në Qytetin e Gazës në gusht.