Kur propaganda takon realitetin, DASH rrëzon 'Shqipërinë 2030'!
Nga Ledina Alolli
Raporti i DASH-it është një shuplakë e rëndë për qeverinë Rama dhe një pasqyrë e zymtë e realitetit në Shqipëri. Raporti flet qartë, vendi jonë përshkruhet si i kapur nga korrupsioni, krimi i organizuar, ekonomia informale dhe pastrimi i parave. Kjo është panorama që "Rilindja" i ka servirur Botës.
Investimet strategjike janë kthyer në "kupola hajdutërie", teksa PPP-të shërbejnë si mekanizma klientelistë që mbyllin konkurrencën, përjashtojnë transparencën dhe favorizojnë një grusht oligarkësh të lidhur me pushtetin. Të rinjtë dhe profesionistët shqiptarë po largohen masivisht, duke ikur nga mungesa e shpresës dhe nga një sistem që i trajton si të tepërt.
Investitorët amerikanë dhe evropianë përballen me shantazhe, korrupsion dhe moszbatim të kontratave, duke detyruar kompanitë të shkojnë në arbitrazhe ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtën e tyre. Në të njëjtën kohë, çështja e pronave mbetet një plagë e hapur, ku mijëra familje janë të pambrojtura nga shteti dhe pa siguri ligjore. Ky është bilanci i vërtetë i një qeverie që ka shitur fasadë, por ka prodhuar mjerim.
Ky raport është një aktakuzë e qartë: Shqipëria nuk është sot një vend i sigurt për biznesin e ndershëm, por një terren ku sundojnë korrupsioni dhe krimi, mbi ligjin dhe zhvillimin e drejtë ekonomik. Shqiptarët meritojnë një shtet normal, një ekonomi të ndershme dhe një qeveri që punon për qytetarët dhe jo për klientët e saj.
Por ndërsa raportet ndërkombëtare flasin për një Shqipëri të zhytur në korrupsion, Edi Rama vazhdon të shesë propagandë për “Shqipërinë 2030" në BE. Realiteti është tjetër, Shqipëria e vetme që ai po ndërton është një “Republikë korrupsioni”, ku vendi nuk shkon drejt Europës, por drejt një kolonie të drejtuar nga oligarkët dhe "miqtë e Arubas"!