Tepelena: Tirana, qytet totalitar me një kryetar që sillet si kryeministër!
I ftuar në edicionin e lajmeve të pasdites në Syri TV, aktivisti Andi Tepelena ka kritikuar ashpër mënyrën si qeveriset Tirana, duke e quajtur një qytet "shumë të centralizuar, gati totalitar", ku qytetarët nuk kanë asnjë rol real në vendimmarrje.
Sipas tij, megjithëse prej vitesh flitet për një model policentrik dhe për decentralizimin e njësive vendore, në praktikë bashkitë nuk kanë as pavarësi financiare, as politike, dhe qytetarët nuk pyeten kurrë për të ardhmen e qytetit të tyre.
Andi Tepelena: Gjithmonë është folur për një qytet policentrik dhe për mendimin tim, është modeli i duhur, Tirana duhet të jetë e decentralizuar, ku njësitë vendore duhet të kenë autonominë, pavarësinë financiare për të vendosur. E vërteta është se është një qytet shumë i centralizuar, gati totalitar. Dhe kjo nuk është vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë qytetet e tjera. Pra nuk kemi një qytet në kuptimin e vërtetë demokratik, ku qytetarët marrin pjesë në mënyrë reaktive, proaktive në vendimmarrje për qytetin. Pra, përmes nismave, përmes referendumeve ku qytetarët të pyeten.
Qytetarët nuk pyeten fare sesi e duan qytetin dhe kjo i bën ata të pafuqishëm, mos të ketë asnjë rol se si do të jetë e ardhmja e tij apo e fëmijës së tij. Dhe kjo është një nga arsyet edhe pse ikin shqiptarët. Nuk arrijnë dot të mëshirojnë konceptin, idenë e tyre për qytetin. Në këtë aspekt ne kemi dy modele...një pjesë e qytetarëve që duan të fuqizohet roli i tyre, ajo që le të themi ‘demokracia direkte’ dhe ajo që për qytetin vendos një dorë force kryetari i bashkisë, që për mendimin tim ka marrë atribute të një kryeministri dhe është e pakonceptueshme. Kryetari i bashkisë duhet të jetë një qytetar i thjeshtë si të gjithë qytetarët e Tiranës dhe qyteteve të tjera. Ndërkohë këtu, kryetari i bashkisë është përdorur si trampolinë për t’u bërë kryeministër.