VIDEO/ Roma fiton pastër ndaj Veronës, Dovbyk dhe Soulé vulosin suksesin
Roma vazhdon momentin pozitiv në Serinë A duke mposhtur 2-0 Veronën në “Olimpico” dhe duke u ngjitur në kuotën e 12 pikëve pas pesë javësh kampionat. Skuadra e Gian Piero Gasperinit arriti fitoren e katërt në këtë fillim sezoni, duke barazuar startin më të mirë të periudhës Mourinho.
Ndeshja nisi menjëherë me gol për verdhekuqtë: në minutën e 7-të ishte Artem Dovbyk ai që gjeti rrugën e rrjetës, duke i dhënë qetësi Romës. Pavarësisht avantazhit të hershëm, Verona nuk u dorëzua dhe krijoi jo pak vështirësi për mbrojtjen romane, me Orban dhe Giovane që rrezikuan disa herë.
Gjatë pjesës së dytë loja mbeti e hapur, me miqtë që kërkonin barazimin dhe Romën që provonte të administronte rezultatin. Në minutën e 79-të, Matías Soulé realizoi golin e dytë, duke vulosur suksesin me golin e tij të parë në “Olimpico”. Në minutat e fundit, Verona gjeti rrugën e rrjetës me Orban, por goli iu anulua pas verifikimit të VAR-it për një prekje me dorë.
Me këtë fitore, Roma konfirmon se është një nga skuadrat më solide të këtij fillimsezoni, ndërsa Verona, pavarësisht humbjes, doli nga fusha me një paraqitje dinjitoze dhe shumë momente të mira loje.