SYRI TV/ Drama e familjes Bjeshka në Shkodër, burri i verbër, gruaja dhe vajza invalide
Prej katër vitesh, Marta Bjeshka, 66 vjeçe, është e paralizuar, por Bashkia e Shkodrës refuzon t’i japë këstin e ndihmës financiare (kempin), duke e lënë pa asnjë mbështetje ekonomike.
Për të detyrohet të kujdeset bashkëshorti i saj i verbër, Ndoc Bjeshka, 73 vjeç, i cili e ka tepër të vështirë për shkak të mungesës së plotë të shikimit. Ai akuzon institucionet se i kanë braktisur dhe thekson se është zhytur në borxhe për t’u kujdesur për bashkëshorten e tij të sëmurë.
Kjo është Marta Bjeshka, 66 vjeçe, e cila prej katër vitesh është e paralizuar si pasojë e një hemorragjie cerebrale. Për të kujdeset burri i saj, Ndoc Bjeshka, edhe pse ai vetë ka nevojë për një shoqërues për shkak të verbërisë së plotë.
Drama e familjes Bjeshka rëndohet edhe më shumë nga varfëria, përveç sëmundjeve. Kryefamiljarja nuk merr asnjë ndihmë ekonomike nga Bashkia e Shkodrës. Ndoc Bjeshka thotë se institucioni vendor i ka refuzuar bashkëshortes së tij të drejtën për kemp, duke e detyruar atë të hyjë në borxhe për të përballuar kostot e kujdesit.
Teksa ndien veten të braktisur nga institucionet, ai i bën apel çdo qytetari për ndihmë.
Çifti Bjeshka jeton në lagjen “10 Korriku”, në zonën e Tepes në qytetin e Shkodrës. Ata kanë edhe një vajzë të sëmurë, me aftësi të kufizuara.