Argjentina proteston kundër vrasjeve brutale të vajzave dhe grave të reja: Kërkojmë drejtësi, një grua vritet nga një burrë çdo 36 orë

Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në një protestë kundër vrasjes së femrave në Buenos Aires, duke kërkuar drejtësi për një vajzë dhe dy gra të reja që u torturuan dhe u vranë në një krim që ka tronditur Argjentinën. Vrasjet brutale të 15-vjeçares Lara Gutierrez dhe Morena Verdi dhe Brenda del Castillo, të dyja 20 vjeç, u transmetuan drejtpërdrejt në mediat sociale. Raportohet se policia beson se një bandë trafikimi droge ishte përgjegjëse për vrasjen e tyre dhe se krimi u transmetua si një paralajmërim për të tjerët.

Viktimat e ngjarjes udhëtuan në një furgon duke besuar se po shkonin në një festë më 19 shtator. Por, autoritetet thanë se kjo ishte pjesë e një plani për të ndëshkuar vajzën dhe gruan e re për shkelje të kodit të bandave, duke shërbyer si një paralajmërim për të tjerët. Trupat e tre viktimave u gjetën të varrosur pranë një pronë në një periferi jugore të Buenos Aires, pesë ditë pasi ata u zhdukën. Në Buenos Aires, të afërmit e viktimave iu bashkuan një marshim drejt Parlamentit të shtunën duke kërkuar drejtësi për gratë dhe vajzën.

"Gratë duhet të mbrohen më shumë se kurrë", u tha gazetarëve në protestë babai i viktmës, Leonel del Castillo.

Ai më parë kishte thënë se ishte e pamundur për të që të identifikonte trupin e vajzës së tij për shkak të abuzimit që i ishte bërë. Një grua vritet nga një burrë çdo 36 orë në Argjentinë, sipas një grupi monitorimi të vrasjeve të grave në vend.