Banorët e Lumit të Vlorës protestojnë për rrugët e degraduara: 35 vite pa investime, Rama vetëm premton dhe fshihet
Banorët e fshatrave të Lumit të Vlorës, të krahinës së Smokthinës dhe Kurveleshit, dolën në protestë mëngjesin e së dielës duke bllokuar rrugën kryesore, për të shprehur pakënaqësinë ndaj mungesës së investimeve në zonë.
Të ardhur nga Verbas, Marogjin, Bashaj, Vernik, Ramicë dhe Velç, protestuesit kërkuan ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet qendrore dhe lokale për rikonstruksionin e rrugës, e cila sipas tyre është lënë pas dore për më shumë se 35 vite.
“Nuk mund të pranojmë që kjo rrugë të mbetet në këtë gjendje. Prej 35 vitesh nuk është bërë asnjë investim serioz. Kërkojmë që shteti të na trajtojë me dinjitet, jo të na kujtohet vetëm në fushata”, deklaruan banorët.
Banorët i drejtuan një thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të qarkut Vlorë, duke kërkuar mbajtjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatave zgjedhore dhe duke paralajmëruar bojkot të zgjedhjeve të ardhshme nëse situata nuk përmirësohet.
Në protestë ishin të pranishëm edhe banorë që jetojnë jashtë vendit, përfshirë një grua nga Velça që jeton në Londër dhe vizitorë nga Anglia, të cilët shprehën pakënaqësinë për rrugët e mjerueshme që pengojnë turizmin dhe lidhjen me zonën.
Forcat e rendit siguronin mbarëvajtjen e protestës dhe shmangien e incidenteve, ndërkohë që banorët shprehën kënaqësinë për segmentin e rrugës që është ndërtuar së fundmi, por theksuan se pjesa tjetër e fshatrave vijon të jetë e lënë pas dore.
Banorët paralajmëruan se nëse nuk do të ketë reagim nga autoritetet, do të organizojnë një protestë tjetër brenda muajit shtator, duke kërkuar investime të menjëhershme në infrastrukturë për të nxitur zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe turizmin lokal.