Raporti për klimën e investimeve, Balliu: DASH konfirmon skemën e pastrimit të parave të drogës nën qeverisjen Rama

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për lirinë e biznesit në Shqipëri.

Me një reagim në Facebook, Balliu thekson se raporti konfirmon akuzat e përsëritura të opozitës lidhur me përfshirjen e qeverisë shqiptare në skemat e pastrimit të parave të drogës.

‘Për vite me radhë kemi denoncuar lidhjet e qeverisë me rrjetet e narkotrafikut. Sot këto fakte i konfirmon edhe DASH dhe hetimet ndërkombëtare, si ‘Dosja Rama-Aruba’, ku zyrtarë të lartë të qeverisë janë ulur me kartelet e drogës për të planifikuar pastrimin e parave në kullat që mbijnë çdo ditë në Tiranë’, shkruan Balliu.

Sipas tij, pasojat e këtij fenomeni janë ndjerë direkt në jetën e qytetarëve shqiptarë.

‘Sipas raportit, paratë e drogës kanë shkatërruar ekuilibrat e tregut, kanë rritur çmimet e banesave dhe kanë varfëruar familjet e reja. Ndërsa qytetarët e thjeshtë ndëshkoheshin për ‘informalitet’, qeveria lejonte që paratë e krimit të hynin lirisht në ndërtim masiv’, shtoi ai.

Balliu kërkoi veprime të menjëhershme nga institucionet e drejtësisë dhe transparencë të plotë për pasuritë e investuara në sektorin e ndërtimit.

‘Duhet transparencë, hetim i plotë i burimeve të fondeve dhe përgjegjësi penale për çdo zyrtar të përfshirë, duke filluar nga vetë Edvin Kristaq Rama’, shkruan deputeti demokrat.

Raporti i DASH ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për lidhjet mes krimit të organizuar dhe sektorëve strategjikë të ekonomisë shqiptare, veçanërisht ndërtimit, duke rritur presionin ndaj qeverisë për hetime dhe masa konkrete.