SYRI TV/ Zyni Zeqo, peshkatari i cili jeton mes mjerimit dhe varfërisë! Asnjë ndihmë nga shteti

Zyni Zeqo është 77-vjeç. Jeta e Zyniut nuk ka lundruar kurrë në det të qetë, por e trazuar, plotë dallgë e tallaze që nuk kanë të sosur…

Do të duhej të shijonte pensionin, si shumë miq e shok të tij, por 77-vjeçari nga Vlora, i duhet të punojë për të siguruar kafshatën për djalin e sëmurë dhe dy nipërit e mitur.

"Që i vogël punoj. Ushqej fëmijët. Mbaj dhe për vete por dhe i shes. S'kam ku të vejë, pensionist jam'

Jetesa e Zyniut, djalit të sëmurë dhe dy nipërve të mitur, është mes kësaj banese që po shkon drejt rrënimit dhe detit që duket si shpresa e vetme për të sigurar kafshatën me peshkim artisanal.

"Hap dollapin. Nuk ka as bukë, asgjë. Ka vetëm një kg makarona. Ju lutem më ndihmoni për ata dy fëmijtë e vegjël. Njëri në klasë të 9-të tjetri në të 7-të. Venë në shkollë pa mëngjes. Në drekë mund të mos ketë prë të ngrënë. Më vjen për të qarë " 

Në frigoriferin e vjetëruar, skamja shfaqet më dhunshëm se askund. Zyniu tregon vuajtjet që po kalon, ndërsa apeli i tij është vetëm një, ndihmë.

"Më ndihmoni që nipat e mi të kenë një shtëpi"

Në banesë gjetëm vetëm djalin e tij, i sëmurë me probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që nipërit e vegjël ai i kishte dërguar në shkollë, të uritur dhe pa ngrënë asgjë. Për të mbijetuar, Zyniu del çdo ditë dhe mbledh biçaqë deti (frut deti) në zonën e Plazhit të Vjetër, të cilat më pas i shet nëpër restorante të qytetit për vetëm 3 apo 4 mijë lekë të vjetra.

Ai rrëfen se kishte përfituar një banesë sociale, por vetëm për tre muaj. Për shkak se nuk mundi ta paguante, u nxor jashtë dhe u rikthye në këtë banesë të amortizuar e të pabanueshme.

Zyniu përfiton 100 mijë lekë të vjetra pension dhe vetëm 21 mijë lekë ndihmë ekonomike, shumë e papërfillshme për të përballuar shpenzimet e jetesës. Ai kujton se dikur ndihma ekonomike ishte 27 mijë lekë, por sot edhe ajo është ulur.