Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë/ 'Dikush na zuri rrugën!' Dëshmia që ngjall dyshime! Mes 5 të shoqëruarve nipi i Gramoz Ruçit
Pesë persona janë shoqëruar në polici në lidhje me vrasjen e biznesmenit italian, Edoardo Sarchi.
Viktima është gjetur i vrarë me armë zjarri në vendin e quajtur “Dilan” në fshatin Salari të Tepelenës rreth mesnatës, 26 -27 shtator.
Viktima, 44 vjeç nga Varese e Italisë, prej 25 vjetësh jetonte në Shqipëri dhe ishte pronar i një fabrike tullash në Tiranë.
Shtetasi Italian është gjetur në rrugë pa shenja jete, ndërsa ai dyshohet se kishte dalë për gjueti bashkë me miq të tij, pasi këtë sport e ushtronte prej vitesh në këtë zonë.
Mes të shoqëruarve janë Eqerem Braçe dhe Gazment Braçe, babë e bir, që dyshohen si autorë të ngjarjes, të dy banorë të fshatit Salari. Ata dyshohet se bënin biznes me shtetasin italian dhe ndërkohë shkonin për gjueti shpesh bashkë.
Gazment Braçe është nipi i Gramoz Ruçit, konkretisht djali i motrës së Gramoz Ruçit.
Ndër të shoqëruarit është dhe shoferi dhe dy shoqërues të cilët dilnin shpesh për të zhvilluar aktivitetin. Shoferi ka qenë në vendin e pasagjerit.
Dëshmia e dyshimtë
Të gjithë personat dëshmojnë të njëjtën fjali të përbashkët.
“Dikush na zuri rrugën!” Çka ka ngjallur dyshime se nuk po tregojnë të vërtetën. Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë, ndërkohë viktima kishte marrë plagë në këmbë dhe dyshohet se ka humbur jetë për shkak të humbjes së gjakut. Në vend ngjarje janë gjetur 2 armë gjahu.
Në Tepelenë kanë shkuar për të hetuar dhe ekspertë të policisë edhe nga Tirana.