Trump i hoqi vizën presidentit kolumbian/ Shkaku kryesor, sulmet ajrore amerikane ndaj trafikantëve të kokainës

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të revokojnë vizën e presidentit kolumbian Gustavo Petro, pasi ai u bëri thirrje ushtarëve amerikanë të mos i binden homologut të tij amerikan Donald Trump gjatë një fjalimi në OKB në Nju Jork.

Departamenti i Shtetit i përshkroi komentet e Petros në një protestë pro-palestineze në rrugë të premten si "të pamatura dhe nxitëse".

Por thelbi i përplasjes lidhet me sulmet ajrore amerikane ndaj trafikantëve të kokainës.

Sipas BBC, udhëheqësi kolumbian ishte në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku më herët këtë javë ai bëri thirrje për një hetim penal mbi sulmet ajrore të administratës Trump mbi anijet e dyshuara për trafik droge në Karaibe.

Marrëdhëniet midis Petros - i cili udhëheq qeverinë e parë të krahut të majtë në Kolumbi - dhe administratës Trump janë përkeqësuar në muajt e fundit.

Udhëheqësi kolumbian e përdori fjalimin e tij në OKB për të nisur një kritikë të ashpër ndaj sulmeve amerikane mbi anijet e dyshuara se përdoren për transportimin e drogës, duke argumentuar se ato nuk kishin të bënin me kontrollin e tregtisë së drogës, por me përmbushjen e një nevoje për të përdorur "dhunën për të dominuar Kolumbinë dhe Amerikën Latine".

Ai tha se disa nga të vrarët nga sulmet mund të kenë qenë nga Kolumbia, e cila është prodhuesi më i madh i kokainës në botë, dhe pretendoi se zyrtarët amerikanë ishin aleatë të bandave të drogës, ndërsa qeveria e tij po i bindte fermerët të mos kultivonin kokainë.

Petro i krahasoi sulmet ajrore me një "akt tiranie" në një intervistë me BBC-në.

Uashingtoni pretendon se veprimet janë pjesë e një operacioni amerikan kundër drogës në brigjet e Venezuelës, presidentin e së cilës e akuzon për drejtimin e një karteli.