EMRI- FOTO/ Dhunoi dhe kërcënoi me armë bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani ekstradohet nga Gjermania 38-vjeçari

Është ekstraduar nga Gjermania 38-vjeçari Fabio Ballabani (Zyberaj), i cili akuzohet se dhunoi dhe kërcënoi me armë bashkëshortin e një gjyqtareje që shqyrtonte procesin kundër një grupi kriminal.

Ndaj tij, GjKKO në vitin 2024 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

“Shtetasi F. B. alias F. Z. akuzohet se në vitin 2019, ka dhunuar dhe ka kanosur me armë zjarri, shtetasin K. P., bashkëshort i gjyqtares që gjykonte procesin me palë të përfshirë grupin kriminal ku bënte pjesë 38-vjeçari”, informuan blutë.

Fabio Ballabani (Zyberaj) iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Interpol Tirana

Ekstradohet nga Gjermania, një 38-vjeçar që në vitin 2019, dhunoi dhe kanosi me armë zjarri, bashkëshortin e gjyqtares së ngarkuar për procesin kundër grupit kriminal ku bënte pjesë.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave të Interpol Tiranës, me homologët në Gjermani, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, F. B. alias F. Z., 38 vjeç.

Në vitin 2024, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasi F. B. alias F. Z. akuzohet se në vitin 2019, ka dhunuar dhe ka kanosur me armë zjarri, shtetasin K. P., bashkëshort i gjyqtares që gjykonte procesin me palë të përfshirë grupin kriminal ku bënte pjesë 38-vjeçari.

Ky shtetas iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

Zbardhja e ngjarjes

Prokuroria e Posaçme, më 15 Shkurt 2025, ka dërguar për gjykim Emiljano Shullazin, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 23 prill 2023, kur bashkëshorti i gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani, u dhunua brutalisht.

Hetimet e SPAK kanë treguar se Shullazi ka qenë organizatori dhe udhëhoqi sulmin, duke u përpjekur të ndikojë në gjyqin që Dollani po zhvillonte ndaj tij dhe disa të tjerëve.

 “I pandehuri Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me persona të tjerë, me veprimet e tij të kundraligjshme dhe të drejtëpërdrejta, të kryera me dashje gjatë katërmujorit të parë të vitit 2019, si dhe veprimtari e konkretizuar më datë 23.04.2019, 2021, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar prej tij ka goditur një pjesëtar të familjes së një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila gjykonte një cështje penale ndër të tjera edhe në ngarkim të këtij të pandehuri. Ky i fundit, për këtë çështje gjyqësore, kishte kërkuar përjashtimin e kësaj gjyqtareje”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ngjarja u zbulua nga bisedat në SKY,  ku ka rezultuar se organizator i dhunimit dhe më pas vendosjes së pistoletës në gojë të burrit të gjyqtares, është Emiljano Shullazi.

Policia në atë kohë arrestoi një person, por shumë shpejt ai u lirua dhe më pas çështja për akuzën e “Kanosjes ndaj gjyqtarit” dhe rrahjes së bashkëshortit të Dollanit u pezullua nga prokuroria e Tiranës, për mungesë autori.

Çështja u pezullua edhe pse raportimet dhe dyshimet e para krijonin bindjen se gjithçka ishte bërë nga brenda burgut me qëllim që Saida Dollani të jepte dorëheqjen nga procesi penal kundër Shullazit, Gilmando Danit dhe 4 personave të tjerë që po zhvillohej në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Sipas dosjes penale të finalizuar nga SPAK me 50 persona të arrestuar, njerëzit kryesorë që kanë bërë të mundur rrahjen brutale të burrit të Saida Dollanit, janë Emiljano Shullazi, ish-deputeti i PS Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj.

Burri i gjyqtares denoncoi se u kërcënua me pistoletë në prill të vitit të kaluar, teksa gruaja ishte pjesë e trupës gjyqësore të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.

“…në një moment dola për të pirë një cigare nga një lokal ku isha me një mikun tim. Në atë moment kaloi gruaja ime me një shoqe dhe vajzën e saj, ndërsa pak minuta më pas erdhi një djalë i ri rreth 20-22 vjeç. Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë, më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë dhe mu drejtua me fjalët “ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë”. Kërcënimi ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në gjykatën e Apelit për Krime të rënda…”-është shprehur mes të tjerash ai.

Saida Dollani u largua nga procesi gjyqësor i Shullazit, ndërsa për rastin e kërcënimit nisën hetimet në Prokurorinë e Tiranës. 10 muaj më pas prokurorja Ida Ahmetlli kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa gjykata e kundërshtoi duke e rikthyer për vijimin e hetimeve.

Sërish çështja nuk mundi të zbardhej duke shkuar drejt pezullimit të saj. Procesi i Shullazit ngeci në Apel, ku ky i fundit dhe grupi i tij apeluan vendimin e shkallës së parë. Dënimi i tyre në Apel u dha pa prezencën e avokatëve mbrojtës, ndërsa çështja tashmë është në Gjykatën e Lartë.

Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe në Apel me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobë vënie dhe kanosje për shkak të detyrës.

Pjesë e këtij grupi ishin Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja.