Fëmijët e harruar të Cërnicës! Shkolla si në mesjetë dhe pa mësues! Kryetarja e komanduar e Tropojës ‘kyç gojën’ për hallin, sulmon Piranjat

Jemi më shumë se 200 kilometra larg nga kryeqyteti, në Cërnicë të Tropojës, aty ku rreth 100 nxënës të shkollës “Lekë Qokaj”, prej ditësh kanë bojkotuar mësimin, pasi nuk ka kushte higjienike, shkolla është thuajse e rrënuar dhe mbi të gjitha nuk ka mësues matematike dhe gjuhë-letërsie. Sipas prindërve, të cilët kërkojnë kushte dinjitoze për fëmijët e tyre dhe një arsim cilësor, në këtë shkollë nuk është vënë dorë asnjëherë nga institucionet, ndërsa situata bëhet më e rëndë kur dëgjon se mungesa e mësuesit të matematikës ka qenë edhe vitin e shkuar.

Ndërsa po të futesh në ambientet e shkollës, e kupton se nuk kemi të bëjmë me një institucion arsimor, por me një kazermë ushtarake të braktisur, me dyer dhe dritare të rrënuara, tualete pa ujë dhe me mungesë të theksuar higjiene.

Për t’i dhënë zgjidhje situatës, fillimisht u takuam me drejtoreshën e shkollës, e cila ishte e vetëdijshme për situatën në shkollën e saj, por njëkohësisht e pafuqishme për të zgjidhur gjë. Ajo pranon mungesën e mësuesve të matematikës dhe gjuhës, ndërsa shprehet se ka vënë në dijeni Drejtorinë Arsimore Tropojë, por ende nuk ka një zgjidhje.

Ndërsa prindërit bashkë me fëmijët ishin mbledhur në oborrin e shkollës, në pritje të një përgjigjeje përfundimtare për të zgjidhur situatën, drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Tropojë, Shotë Basha, vjen në ambientet e shkollës dhe me një pamje të befasuar na kërkon që të dalim jashtë. Ajo përballet me prindër të revoltuar por edhe të pasigurt për të ardhmen e fëmijëve, ndërsa shprehet se deri ditën e hënë mësuesit do të jenë në shkollë, ndërsa për kushtet ku gjendet shkolla, ia pason topin qeverisjes vendore, pra Bashkisë së Tropojës.

Prandaj dhe ne nisemi menjëherë për të takuar kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, e cila nuk pranon të japë asnjë përgjigje për kushtet ku gjendet shkolla dhe bojkotin e fëmijëve, por bën vetëm një gjë: sulmon dhe akuzon Piranjat për montime dhe keqinterpretime të intervistës së saj të parë për ne, rreth një vit më parë, kur udhëtuam në Tropojë për urën familjare që ajo kishte vendosur t’ia ndërtonte motrës së saj, me paratë e qytetarëve të Tropojës. Por kjo është histori tjetër, dhe betejën zonja Islamaj e ka me drejtësinë, ne këtë herë ishim në Tropojë për të gjetur një zgjidhje për fëmijët e shkollës “Lekë Qokaj” në Cërnicë.

Por zonja Islamaj, ashtu si dhe herën e shkuar, i hipi makinës dhe u largua me shpejtësi, pa dhënë asnjë zgjidhje për rreth 100 fëmijët që nuk kërkonin asgjë më shumë sesa u takon – një shkollë me mësues të profilit dhe kushte më të mira.

Por ndërsa zonja Zyra u largua dhe nuk u përgjigj, një person që qëndronte jashtë bashkisë, u indinjua shumë nga përballja jonë me kryetaren e komanduar, afrohet tek ne dhe madje nuk i kurseu as kërcënimet:

“Me qenë motra ime, o më vret, o të vras,” – shprehet ai, ndërkohë që ne, në Tropojë, ishim për një problem që nesër mund të prekë fëmijën e tij dhe institucionet e tjera arsimore, që nga mungesa e ndërhyrjeve po shkojnë drejt degradimit total.

Por të paktën, pavarësisht situatave që ndodhën, rëndësi ka që më në fund DVA Tropojë u zgjua nga gjumi dhe dërgoi dy mësuesit në shkollë, ndërsa bashkia dërgoi një pastruese dhe ka nisur disa rregullime të vogla. Fundja, ky ishte qëllimi i vizitës tonë – vetëm zgjidhja e problemit.