I dënuar përjetë për Masakrën e Urës Vajgurore, Apeli i GJKKO lë në burg Fran Marashin

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të GJKKO, për Fran Marashin, i shpallur fajtor dhe i dënuar përjetë për Masakrën e Urës Vajgurore.

Në vendimin e kësaj të premteje, Apeli i GJKKO konfirmoi vendimin, ndërsa Marashi do vijojë të vuajë dënimit e burgimit përjetë në regjimin 41 Bis,

Marashu u shpall fajtor për masakrën e Urës Vajgurore të 17 qershorit 1997, ku u vranë 4 efektivë policie dhe u plagosën 6 të tjerë.

Përveç Fran Marashit, me burg përjetë janë dënuar edhe Musa Protoduari  dhe Shkëlqim Protoduari, si dhe disa persona të tjerë me nga  25 vite burg.

Fran Marashi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më 31 janar 2000, për kryerjen e disa veprave penale të rënda, përfshirë: 

Pjesëmarrje në banda të armatosura;

Vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste);

Vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste);

Vrasje me dashje;

Heqje e paligjshme e lirisë.

Përplasja e armatosur në Urën Vajgurore ka filluar në orën 11:55 të paradites së 17 qershorit 1997, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme pasi vendi ishte zhytur prej muajsh të tërë në destabilitet total pas rënies së firmave piramidale. Atë ditë, në këtë qytet ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS , i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD në miting Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD u largua dhe pas saj erdhi ajo e Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit, si dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie.

Në kthimin e eskortës së policisë, pikërisht në Urën Vajgurore, persona të armatosur dhe me maska sulmuan me armë të rënda antitanke autoblindën e policisë, ku për pasojë, dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut. Dy të tjerët, Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindës. Ndërkohë që të plagosur mbetën punonjësit e policisë: Thimi Tanku, Ylli Dhamo, Neim Gjeroveni, Engjëllush Pasha, Arben Bega dhe Shkëlqim Selfo. Për fat të keq, nga përplasjet e shumta me armë ndërroi jetë dhe 1 civil, i quajtur Ilir Bani.