Tronditet bota e atletikës, ndahet nga jeta kampionia e Maratonës së Stokholmit

Bota e atletikës është në zi pas lajmit të ndarjes nga jeta të vrapueses etiopiane të distancave të gjata, Shewarge Alene, e cila ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare gjatë grumbullimit stërvitor në Addis Ababa.

Alene, e lindur dhe rritur në Etiopi, u zhvendos në Nju Jork në adoleshencë për të ndjekur karrierën e saj profesionale si atlete. Në një rrugëtim me plot arritje, ajo garoi në 26 maratona, ku arriti të fitojë 12 prej tyre, ndërsa në 9 gara të tjera u rendit në podium.

Suksesi i saj më i freskët erdhi në maj 2025, kur ajo triumfoi në Stockholm Marathon, duke e përfunduar garën me kohën 2:30:38. Ndërkohë, rekordin personal e vendosi në vitin 2023 në Sanlam Cape Town Marathon në Afrikën e Jugut, ku përfundoi në vendin e tretë me kohën 2:27:26.

Sipas medieve etiopiane, gjatë një seance stërvitore në kampin e Addis Ababa-s, Alene filloi të ndiente lodhje dhe dobësi. Ajo u dërgua menjëherë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve nuk mundi të mbijetonte.

Organizatorët e Stokholm Marathon publikuan një mesazh prekës në rrjetet sociale:

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të Shewarge Alene, fitueses së Stockholm Marathon 2025. Gjatë një seance stërvitore ajo u ndje keq dhe u dërgua në spital, ku fatkeqësisht nuk mundi të shpëtohej. Mendimet tona shkojnë për familjen dhe të afërmit e saj.”

Karriera e saj nisi që në moshë shumë të re: vetëm 17 vjeçe, Alene u rendit e katërta në NYC Half Marathon 2011, rezultat që i siguroi debutimin e parë në maratonën e famshme të Nju Jorkut atë vit.

Me ikjen e saj të parakohshme, atletika humbi një talent të madh dhe një sportiste që kishte ende shumë për t’i dhënë pistës.