Pashaj: Vaksinat kundër COVID-19 me pasoja të mundshme, por vendet e vogla nuk guxojnë të reagojnë
I ftuar në emisionin e mëngjesit në Syri TV, Gjergji Pashaj – Ekspert i Shëndetit Publik, u shpreh se fushatat e vaksinimit, si për gripin sezonal ashtu edhe për COVID-19, nuk janë tërësisht në dorën e vendeve si Shqipëria, por ndjekin linjën e politikave ndërkombëtare të diktuara nga organizata të mëdha shëndetësore.
Ai theksoi se, ndonëse vaksinat kanë pasur për qëllim mbrojtjen e grupeve vulnerabël, raportimet për efekte anësore, sidomos te të rinjtë, nuk mund të injorohen. Pashaj sqaroi se nuk ka më një detyrim të plotë për vaksinim si më parë dhe se vendet e vogla, përfshirë Shqipërinë, janë ndjekëse dhe jo vendimmarrëse në këtë proces.
Pjesë nga deklarata:
Për sa i përket vaksinimit, vaksina e gripit është normale të bëhet, sidomos për moshat vulnerabël, të cilat preken më shpesh nga sëmundjet kronike dhe për rrjedhojë rrezikohen nga komplikacione të rënda. Patjetër që duhet të imunizohemi çdo vit, përpara se të na kapë virusi. Berja e vaksinës nuk të ndalon të infektohesh nga gripi, por duke qenë i imunizuar, e kalon me simptoma më të lehta.
Sa i përket vaksinimit për COVID-19, njësoj si në çdo vend të botës, edhe ISHP ka ndjekur një politikë ndërkombëtare, e cila nuk mund të ndryshohet nga një vend i vogël si Shqipëria. Po flitet për efekte anësore të vaksinave kundër COVID-19, ku në SHBA është vërtetuar deri diku një lidhje me infeksione në zemër, por këto konsiderohen raste të izoluara dhe pa rrezikshmëri për jetën, të vërejtura në disa persona në grupmoshën 16–25 vjeç.
Sipas studimeve të fundit, FDA ka marrë një vendim që këto vaksina (si p.sh. Pfizer) nuk janë hequr nga tregu, por vazhdojnë të jenë të disponueshme, duke u etiketuar si vaksina që mund të shkaktojnë efekte anësore të caktuara.
Nuk është më i njëjti detyrim ligjor si më parë; është hequr detyrimi për fëmijët deri në 5 vjeç dhe është vendosur si i detyrueshëm për moshat mbi 65 vjeç, edhe në Shqipëri.