Vrasja në Durrës, krim pasioni? Hetuesit dyshojnë se autori dhe viktima kishin lidhje intime me njëri-tjetrin

Detaje tronditëse janë zbuluar nga hetimet për vrasjen e 51-vjeçarit Valbon Beqiri, i cili u masakrua me mbi 20 goditje thike në banesën e tij në Durrës. Autori i dyshuar, 24-vjeçari Teilor Tivari, është arrestuar nga policia, ndërsa ngjarja po hetohet si një krim i paramenduar dhe jo si një reagim në vetëmbrojtje, siç pretendon i riu.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima dyshohet se është qëlluar fillimisht në hyrje të apartamentit dhe më pas është gjetur pa jetë, i gjakosur dhe gjysmë i zhveshur, nën tavolinën e kuzhinës. Apartamenti ishte plotësisht i përfshirë nga gjurmë gjaku, ndërsa krimi mendohet të ketë ndodhur brenda një harku kohor prej 25 minutash.

Fillimisht, 24-vjeçari ka deklaruar se ka vepruar pasi Beqiri kishte tentuar ta përdhunonte, por hetuesit po shqyrtojnë pistën e një lidhjeje të mundshme intime midis dy personave, që mund të ketë sjellë përplasjen fatale.

Ngjarja u zbulua pasi Beqiri nuk shkoi të merrte djalin nga shkolla, si zakonisht. Pas kërkimeve, një i afërm e gjeti të pajetë në banesë dhe njoftoi policinë mbrëmjen e së mërkurës. Hetimet tregojnë se vrasja ka ndodhur paraditen e së njëjtës ditë, rreth orës 10:00.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, Tivari kishte hyrë në banesë për të blerë lëndë narkotike, por një konflikt për "motive të dobëta" përfundoi në një sulm të dhunshëm me thikë, që i mori jetën 51-vjeçarit.

Përveç autorit, policia ka ndaluar edhe një person të dytë, i dyshuar për ndihmë në largimin nga vendngjarja. Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.