Fëmijët maja i mbushnin dhëmballët me nefrit
Një studim i botuar në Journal of Archaeological Science: Reports ka zbuluar tre dhëmbë fëmijësh maja me mbushje nefriti, një praktikë deri më sot e dokumentuar vetëm te të rriturit. Në periudhën Klasike dhe Postklasike (250–1550 pas Krishtit), majat praktikonin modifikime dentare si gërryerje dhe vendosje gurësh të çmuar në dhëmbë, duke përdorur vegla litike dhe çimento organike.
Zakonisht, këto mbushje gjendeshin te të rriturit ose raste të rralla te adoleshentët mbi 15 vjeç. Por ekipi i dr. Marco Ramírez-Salomón-it, duke analizuar koleksionin skeletor në Muzeun Popol Vuh në Guatemala, identifikoi tre dhëmbë që i përkisnin fëmijëve 8–10 vjeç. Këta përfaqësojnë shembujt e parë të dokumentuar të mbushjeve dentare te fëmijët maja.
Arsyet pse këta fëmijë bënë mbushje mbeten të paqarta. Një mundësi është që kjo të ketë qenë një traditë rajonale, jo një praktikë e gjerë e majave. Një hipotezë tjetër sugjeron se mbushjet u jepnin fëmijëve një status simbolik pjekurie shoqërore, duke shënuar kalimin drejt roleve të rriturve: djemtë në punët bujqësore dhe vajzat në punët e shtëpisë rreth moshës 10 vjeç.
Analiza e tre dhëmbëve sugjeron se ata i përkisnin të paktën dy individëve, bazuar në dallimet e aftësisë së mjeshtërve që kryen procedurat. Një mbushje ishte bërë me kujdes, duke depërtuar vetëm në smalt, ndërsa një tjetër kishte shkuar deri në shtresën e dentinës.
Këto raste të rralla hedhin dritë mbi praktikat kulturore të majave dhe sfidojnë supozimin se modifikimet dentare ishin ekskluzivisht për të rritur, duke hapur pyetje të reja mbi simbolikën dhe përhapjen e tyre. / Phys - Syri.net