'Mbetjet urbane në Shqipëri'/ PL: Qeveria grabit miliarda lekë, qytetarët mbyten në plehra
Zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, në një deklaratë për mediat tha se situata e mbetjeve urbane në Shqipëri është alarmante dhe tregon paaftësinë dhe korrupsionin e qeverisë.
Sipas saj, ndërsa prodhimi i mbetjeve po rritet çdo vit, kapacitetet për menaxhimin dhe përpunimin e tyre janë minimale, riciklimi është zero, dhe qytetet po mbyten nga papastërtia.
Memelli akuzoi qeverinë për shpërdorim miliardash lekësh të qytetarëve, duke i drejtuar për inceneratorë që nuk janë funksionalë, dhe u shpreh se kjo është një aferë e pastër e korrupsionit që ka pasuruar vetëm një grup oligarkësh të lidhur me pushtetin, ndërkohë që qytetarët paguajnë më shumë taksa dhe jetojnë në mjedis të ndotur.
Ajo kërkoi hetim të plotë, transparencë totale dhe drejtësi për çdo përgjegjës.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë!
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se mbetjet urbane në Shqipëri janë rritur sërish, ndërsa kapacitetet e përpunimit dhe menaxhimit të mbetjeve përkeqësohen nga viti në vit. Sot prodhohen mbi 860 mijë tonë mbetje në vit, më shumë se kurrë më parë, por shteti nuk ka asnjë zgjidhje, riciklimi është zero, landfill-et janë mbushur dhe qytetet po mbyten nga papastërtia.
Qeveria shqiptare ka grabitur miliarda lekë nga taksat e qytetarëve, në emër të një zgjidhjeje që nuk u realizua kurrë, inceneratorët fantazmë.
Qindra milionë euro janë derdhur për Elbasanin, Fierin dhe sidomos për Tiranën, ku vetëm kontrata shkon në 430 milionë euro. Dhe sot, ku janë rezultatet?
Mbetjet vetëm rriten, riciklimi është zero, nderkohe qytetarët paguajnë më shumë taksa dhe marrin më shumë ndotje.
Këto janë miliarda lekë të shqiptarëve, para të marra nga gjaku i punëtorëve, nga sakrificat e familjeve dhe nga bizneset e ndershme. Ku kanë përfunduar? Në xhepat e një grushti oligarkësh të lidhur me qeverinë.
Kjo është afera e shekullit! Një skemë e pastër korrupsioni, që nuk solli asnjë përfitim për qytetarët, por vetëm pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij.
Ndërkohë që qytetarët mbyten mes plehrave, ndoten lumenjtë dhe digjet ajri me tym helmues, qeveria bën propagandë me projekte fantazmë.
Ne kërkojmë hetim të plotë, transparencë totale dhe drejtësi të menjëhershme.
Çdo euro e vjedhur duhet të kthehet pas, dhe çdo përgjegjës duhet të japë llogari para ligjit dhe para popullit.
Shqiptarët nuk do të pranojnë më të paguajnë taksa për të mbajtur në këmbë aferën e shekullit.
Shqipëria nuk është çiflig i oligarkëve, as kosh plehrash për korrupsionin tuaj.
Faleminderit.