Juventusi drejt një revolucioni të madh në drejtim: Comolli AD, Chiellini në bordin drejtues, Del Piero ose Platini president?
Në Torino po përgatitet një faqe e re për Juventusin. Pas viteve të mbushura me ulje-ngritje sportive dhe probleme gjyqësore, aksionari i shumicës, John Elkann, ka vendosur të ndryshojë rrënjësisht strukturën drejtuese të klubit bardhezi.
Hapi i parë u bë këtë verë me zëvendësimin e Cristiano Giuntoli-t me Damien Comolli-n, ish-president i Toulouse. Ai do të marrë në nëntor postin e administratorit të deleguar me kompetenca të plota, duke zëvendësuar Maurizio Scanavino-n.
Ndryshime të rëndësishme priten edhe në Këshillin e Administrimit, që do të zgjerohet nga 5 në 11 anëtarë. Në të do të bëjë hyrjen zyrtare Giorgio Chiellini, ish-kapiteni legjendar, i cili po shihet si një figurë qendrore për të ardhmen e klubit. Për të parashikohet një rol gjithnjë e më i madh institucional, me mundësi që në të ardhmen të ngjitet deri në postin e nënkryetarit.
Por lëvizja më e madhe mund të ndodhë në presidencë. Megjithëse Gianluca Ferrero gëzon ende besimin e pronësisë, Elkann synon një profil më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare. Kandidatët kryesorë që përmenden janë dy legjenda bardhezi: Alessandro Del Piero dhe Michel Platini, ndërsa nuk përjashtohet edhe një figurë jashtë botës së fushës, në stilin e ish-presidentit Jean Claude Blanc.
Objektivi i këtij transformimi është i qartë: të bëhet klub i vetëqëndrueshëm, pas mbi 700 milionë eurove të investuara nga Exor në 14 vitet e fundit.