Rrëmbimi i 19-vjeçarit në Sarandë/ Autori, me precedentë të rrezikshëm kriminalë në vjedhje e drogë

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 24 shtator në fshatin Metoq të Sarandës, ku një 19-vjeçar u mor me forcë në një automjet dhe u mbajt kundër vullnetit të tij për një kohë të shkurtër.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është identifikuar si Geraldo Obzova, 33 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, i cili tashmë ndodhet në pranga, ndërsa përballë drejtësisë do të përballet me akuzën “Heqje e paligjshme e lirisë”.

Por kjo nuk është hera e parë që Obzova bie në kontakt me ligjin. Burime nga Policia e Sarandës bëjnë me dije se ai është një emër i njohur për uniformat blu dhe konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Dosja penale e Geraldo Obzovës përfshin:

“Vjedhje”, e kryer në mënyrë të përsëritur, që në moshë të mitur;

“Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”;

“Shkatërrim prone me eksploziv”;

“Kultivim i bimëve narkotike”.

Pavarësisht se viktima, një 19-vjeçar, nuk pranoi fillimisht se ishte marrë me forcë, hetimet e thelluara të Policisë dhe Prokurorisë së Sarandës zbuluan se ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, dhe se i riu ishte futur në makinë kundër dëshirës së tij.

Obzova e kishte mbajtur të riun në automjetin e tij për një kohë të shkurtër dhe më pas e kishte lënë të lirë.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë. Ndërkohë, hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë lidhjet e mundshme të të arrestuarit me raste të tjera të ngjashme.