Sarandë/ Mori peng 19-vjeçarin në automjet, arrestohet 33-vjeçari
Ngjarja e raportuar një ditë më parë në Sarandë, ku dyshohej se një 19-vjeçar ishte marrë me forcë në një automjet, ka marrë një zhvillim të ri.
Pas hetimeve të thelluara, policia ka arrestuar një 33-vjeçar, i cili akuzohet se e ka privuar të riun nga liria pas një konflikti për motive të dobëta. Viktima fillimisht mohoi të ishte marrë forcërisht, por provat e mbledhura zbardhën plotësisht rastin.
LEXO EDHE: Rrëmbimi në Sarandë/ 19 vjeçari në polici, u 'mor peng' nga 2 vëllezër
Njoftimi:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, lidhur me rastin e një 19-vjeçari që dyshohej se ishte marrë me forcë në një automjet, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, vijuan veprimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Nga deklarimet e dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore, 19-vjeçari nuk ka pranuar se ishte marrë forcërisht, por hetimet e mëtejshme bënë të mundur zbardhjen e plotë të rastit.
Si rezultat, shërbimet e Policisë identifikuan dhe arrestuan në flagrancë shtetasin G. O., 33 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë. Ky shtetas dyshohet se më datë 24.09.2025, rreth orës 13:30, pas një konflikti për motive të dobëta në fshatin Metoq, ka marrë kundër vullnetit të tij në automjetin tip “Mercedes-Benz” shtetasin F. M., 19 vjeç, duke e mbajtur aty për një kohë të shkurtër dhe më pas e ka lënë të lirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.