Meloni në OKB: Akuza ndaj Rusisë, kritika ndaj Izraelit dhe alarm për krizat globale
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka mbajtur një fjalim 16-minutësh në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku ka lëshuar akuza të forta ndaj Rusisë, kritika ndaj Izraelit dhe ndaj vetë arkitekturës ndërkombëtare.
Akuza e ashpër ndaj Rusisë
Meloni e cilësoi Moskën si një shtet që ka “shkelur me vetëdije nenin 2 të Kartës së OKB-së”, duke cenuar integritetin e një shteti sovran dhe duke kërkuar aneksimin e territorit të tij.
Ajo paralajmëroi se agresioni rus ka hapur plagë të thella në të drejtën ndërkombëtare dhe ka ndezur konflikte të tjera, ndërsa Kombet e Bashkuara janë treguar të pafuqishme për t’i ndalur.
Kritika ndaj Izraelit
Duke dënuar sulmet e Hamasit të 7 tetorit, Meloni nuk kurseu kritikat ndaj Tel Avivit. Sipas saj, Izraeli ka tejkaluar “parimin e proporcionalitetit” në përgjigjen e tij ushtarake, duke shkaktuar viktima të mëdha civile dhe duke shkelur normat humanitare. Italia, tha ajo, do të mbështesë disa nga sanksionet e propozuara nga Bashkimi Europian kundër Izraelit.
Meloni shtoi se Izraeli duhet të pranojë zgjidhjen me dy shtete, duke nënvizuar dy kushte për njohjen e shtetit palestinez: lirimin e pengjeve dhe përjashtimin e Hamasit nga pushteti.
Një pjesë e madhe e fjalimit iu kushtua edhe politikave mjedisore. Meloni i quajti “pakte jeshile” të BE-së dhe Perëndimit “një ekologjizëm të paqëndrueshëm” që po çon në deindustrializim, humbje vendesh pune dhe rënie të konkurrueshmërisë. “Në shkretëtirën industriale nuk ka asgjë jeshile,” tha ajo me ton kritik.
Kryeministrja italiane kërkoi rishikimin e konventave ndërkombëtare për migracionin dhe azilin, të cilat sipas saj shpesh interpretohen në mënyrë ideologjike nga gjykata të politizuara. Ajo foli gjithashtu kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe përmendi persekutimet fetare, “kryesisht ndaj të krishterëve”.
Meloni përfundoi fjalimin me një ton dramatik, duke kujtuar se OKB u krijua për të shmangur luftërat pas vitit 1945, por sot bota gjendet, sipas fjalëve të Papa Françeskut, në një “luftë të tretë botërore të luftuar me copa”.
Duke cituar Shën Françeskun, ajo tha: “Betejat e vështira u rezervohen atyre që kanë guxim shembullor. Sot është koha ta tregojmë këtë guxim.”