VIDEO/ Shënoi 'dygolësh', Messi në krye të garës për ‘Këpucën e Artë’ pas spektaklit ndaj New York City-t

Lionel Messi po vazhdon të shkëlqejë në MLS, duke marrë kryesimin në garën për “Këpucën e Artë” pas një performance madhështore me Inter Miami. Në mbrëmjen e së mërkurës, nën dritat e ‘Citi Field’ dhe në një shi të dendur, argjentinasi shënoi dy gola dhe asistoi një tjetër në fitoren 4-0 kundër New York City FC, një sukses që i siguroi ekipit të Floridës kualifikimin në fazën “play-off”.

Messi nisi spektaklin në minutën e 43-të me një asist për Baltasar Rodríguez, duke i dhënë epërsinë Inter Miamit. Në pjesën e dytë, skuadra shpërtheu me tre gola brenda 12 minutash. Fillimisht, Luis Suárez realizoi nga pika e bardhë, ndërsa Messi tregoi klasin e tij duke shënuar dy herë: në minutën e 74-t pas një pasimi fantastik të Busquets dhe në të 86-tën për të vulosur rezultatin.

Me këto dy gola, Messi e çoi në 24 numrin e realizimeve sezonale, duke kaluar Denis Bouanga të LAFC, i cili ka 22. Ky ritëm e vendos 38-vjeçarin në një pozitë të favorshme për të fituar trofeun individual më prestigjioz të kampionatit.

Inter Miami aktualisht renditet në vendin e tretë të Konferencës së Lindjes me 55 pikë, pas Philadelphia Union (60) dhe FC Cincinnati-t (58). Sfida e radhës do të jetë ndaj Toronto-s FC, ku ekipi i Javier Mascheranos do të synojë të ruajë hapin në garën për “Supporters’ Shield”, trofe që e fitoi në vitin 2024.

Atmosfera në stadium ishte elektrizuese, me mbi 40 mijë tifozë që brohorisnin në çdo prekje të Messit, duke treguar se edhe larg Miamit, idhulli argjentinas është gjithnjë në shtëpi.