Ekspertët thonë se po e filloni ditën krejtësisht gabim: Duhet të ndryshoni një zakon
Një zakon i përditshëm, që shumica e njerëzve e bëjnë pa menduar, mund të prishë momentet më të rëndësishme të ditës, paralajmëron Dr. Wendy Suzuki, profesoreshë në Universitetin e Nju Jorkut.
Në një video të publikuar në Instagram, Suzuki theksoi se truri është në “gjendjen kulmore neuroplastike” menjëherë pas zgjimit – periudha kur ka potencialin më të madh për përqendrim, kreativitet dhe motivim. Sipas saj, përdorimi i menjëhershëm i telefonit e prish këtë proces duke i vjedhur trurit kohën e tij më të fuqishme.
“Dopamina dhe kortizoli janë natyrshëm të larta në mëngjes, duke ju dhënë energji për të filluar ditën. Por sapo i drejtoheni ekranit, e humbni këtë avantazh,” shpjegoi ajo. Në vend të kësaj, ajo këshillon të lini telefonin mënjanë për disa orë dhe të shpenzoni minutat e para të ditës duke vendosur qëllime, duke reflektuar ose thjesht duke shijuar një kafe.
Edhe ekspertja e gjumit Rosie Davidson e mbështet këtë paralajmërim. Ajo kujton se përdorimi i celularit vonë në darkë prish gjumin duke ndikuar në prodhimin e melatoninës, ndërsa shikimi i ekranit menjëherë pas zgjimit ndikon negativisht në humorin dhe mentalitetin gjatë gjithë ditës.
Sipas saj, një zgjidhje praktike është të karikohet telefoni larg shtratit ose në një dhomë tjetër, për të krijuar një barrierë që ndihmon të shmanget ky zakon i dëmshëm.
Ekspertët bien dakord: për një mëngjes më të shëndetshëm dhe një ditë më produktive, telefoni duhet të presë.