VIDEO/ Sekuestrohet ‘Ferrari’ 600 mijë euro që shëtiste në rrugët e Tiranës - Nën hetim pronari 30-vjeçar me dy miqtë e tij

Një operacion policor i koduar “Red” është finalizuar në Tiranë, ku është sekuestruar një automjet luksoz tip Ferrari, me vlerë rreth 600,000 euro, i dyshuar se është përfituar nga trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, dhe ka në qendër një 30-vjeçar, Eri Vraja, i dënuar më parë në Turqi për trafik droge.

Policia e Tiranës bën të ditur se ‘Ferrari’ i sekuestruar u ndalua në rrugën “Abdyl Frashëri” në kryeqytet, ku rezultoi se 30-vjeçari e kishte regjistruar në emër të një 36-vjeçarit S. Ll., me qëllim shmangien e gjurmëve dhe hetimit të pasurisë. Ndërkohë, automjeti luksoz ishte sjellë në Shqipëri për llogari të tij nga një tjetër bashkëpunëtor, A. L., 30 vjeç.

Të tre shtetasit janë vënë nën hetim penal, ndërsa policia po thellon verifikimet për të identifikuar edhe pasuri të tjera të përfituara nga aktiviteti kriminal i E. V., brenda dhe jashtë vendit.

Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë procedurat, ndërkohë që pritet të ketë zhvillime të tjera në vijim të hetimeve për pastrim parash dhe krim të organizuar.