Partia e Lirisë: Mbledhja për shkarkimin e Veliajt duhet të mbahej në Sharrë, aty ku nisi afera e inceneratorit

Artan Distafa, anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Tiranës, në një deklaratë për media tha se mbledhja e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt duhet të ishte mbajtur në Sharrë, aty ku nisi një nga aferat më të mëdha korruptive të kryeqytetit.

Sipas tij, pikërisht aty duhet të nisë edhe pastrimi i Tiranës nga korrupsioni, inkriminimi dhe abuzimi me pushtetin.

Në atë truall ku u shpall ndërtimi i një inceneratori që nuk ekziston, qytetarët shqiptarë kanë humbur miliona euro.

Distafa theksoi se çdo ditë, nga taksat e tyre, qytetarëve u vidhen 90 mijë euro për një projekt fantazmë, që ekziston vetëm në letra dhe në llogaritë bankare të një grupi të lidhur me pushtetin.

Deklarata e plotë:

Përshëndetje!

Mbledhja e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt duhet të ishte mbajtur në Sharrë, pikërisht aty ku nisi një nga aferat më të mëdha korruptive të kryeqytetit, duhet të nisë edhe pastrimi i Tiranës nga korrupsioni, inkriminimi dhe abuzimi me pushtetin.

Në atë truall ku u shpall ndërtimi i një inceneratori që nuk ekziston, qytetarët shqiptarë kanë humbur miliona e miliona euro. Sot, çdo ditë nga taksat e tyre vidhen 90 mijë euro për një fantazmë, për një projekt që ekziston vetëm në letra dhe në llogaritë bankare të një grupi të lidhur me pushtetin. Ky ka qenë dhe është  simboli i qeverisjes së Erion Veliajt dhe Edi Ramës, një pushtet i ngritur mbi mashtrim, vjedhje dhe shpërdorim të parave publike.

Debatet që po zhvillohen për ligjshmërinë apo jo të shkarkimit janë një farsë. Janë një shfaqje për të mbuluar të vërtetën, sepse faktet janë kokëforta, qytetarët e Tiranës po grabiten çdo ditë, dhe kjo grabitje do të vazhdojë për tre dekada të tjera sipas kontratës së turpit. Nuk ka gjykatë, nuk ka mbledhje, nuk ka justifikim që mund ta shlyejë këtë krim financiar mbi shpatullat e qytetarëve.

Tirana nuk ka nevojë për fasada dhe as për shfaqje, Tirana ka nevojë për drejtësi, për transparencë dhe për llogaridhënie. Dhe mesazhi më i fortë se askush nuk është mbi ligjin duhet dhënë pikërisht aty ku paligjshmëria mori formë, në truallin e inceneratorit të Sharrës, që nuk u ndërtua kurrë, por që po u merr frymën e jetën financiare mijëra familjeve.

Qytetarët e Tiranës meritojnë të dinë se paratë e tyre nuk do të vidhen më. Ata meritojnë një administratë që i shërben qytetit, jo një pushtet që e vjedh dhe e braktis. Ata meritojnë një kryebashkiak që i përgjigjet ligjit, jo një kryebashkiak që fshihet pas fasadave dhe propagandës.

Llogaridhënia duhet të nisë aty dhe do të nisë aty, në Sharrë, në truallin e inceneratorit që nuk ekzistoi kurrë. Që aty duhet të nisë edhe çlirimi i Tiranës nga korrupsioni dhe kthimi i pushtetit tek qytetarët.

Faleminderit!