SYRI TV/ Fshati Plasë i Maliqit pa infrastrukturë, banorët ankohen për mungesë uji e kanalizime

SYRI TV

Fshatrat e Bashkisë së Maliqit janë lënë në harresë nga pushtetit vendor. Banorët e fshatit Plasë thonë se furnizimi me ujë të pijshëm është vetëm 4 orë në ditë, ndërsa rrugët e fshatit janë të shkatërruara tërësisht. Ata i druhen edhe përhapjes së ndonjë epidemi pasi në fshat ujërat e zeza kalojnë në kanale të zbuluara para banesave te tyre.

Fshati Plasë në Bashkinë Maliq përballet me një sërë problematikash që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të banorëve. Çështja më imediate mbetet furnizimi me ujë të pijshëm. Sipas banorëve, ata furnizohem me ujë vetëm 4 orë në ditë dhe janë të detyruar të mbushin enët për konsum dhe përdorim të përditshëm.

Edhe gjendja e rrugëve të brendshme paraqitet problematike. Në mungesë të investimeve nga institucionet, vetë banorët kanë ndërhyrë për të mbushur gropat, por kjo zgjidhje është vetëm e përkohshme.

Një pjesë e konsiderueshme e banorëve nuk kanë ende rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza, gjë që rrit frikën për përhapjen e ndonjë epidemi.

Banorët shprehen se premtimet nga autoritetet kanë qenë të shumta sidomos në kohë fushate, por pas përfundimit të zgjedhjeve gjithçka mbetet e pandryshuar.