Klouni dhe fshati që digjet
Kushdo që sot përpiqet të flasë para qytetarëve për mënyrën se si po qeverisin socialistët në vend, shumë shpejt do ta kuptojë natyrën e vështirë dhe të pazakontë të një sipërmarrjeje të tillë. Me shumë gjasa do ketë ndjenjën se situata e tij përshkruhet shumë mirë në tregimin e njohur alegorik të Kierkegaard-it për klounin dhe fshatin që digjej. Ky tregim thotë se një cirk ambulant në Danimarkë kishte marrë flakë. Me të ndodhur kjo, klounin që tashmë ishte i veshur dhe i grimuar për shfaqjen, menaxheri e dërgoi me urgjencë në fshatin fqinj për të kërkuar ndihmë, veçanërisht pasi ekzistonte rreziku që zjarri të përhapej nëpër fushat e korrura e të thata dhe ta përfshinte edhe fshatin.
Klouni nxitoi në fshat dhe i luti banorët që të vinin sa më shpejt në cirkun që digjej flakë dhe të ndihmonin për ta shuar zjarrin. Por fshatarët i morën thirrjet e klounit thjesht për një reklamë të shkëlqyer që synonte të tërhiqte sa më shumë njerëz në shfaqje; ata e duartrokitën klounin dhe qeshnin me lot. Klounit i vinte më shumë të qante sesa të qeshte; ai më kot u përpoq t’i bënte njerëzit të ishin seriozë, t’ua bënte të qartë se kjo nuk ishte një shtirje, se ai nuk po bënte trik, por që ishte një e vërtetë e hidhur, pasi realisht kishte zjarr. Lutjet e tij vetëm sa e shtuan të qeshurën; njerëzit menduan se ai po e luante shkëlqyeshëm rolin e tij - derisa më në fund zjarri përfshiu edhe tërë fshatin dhe ishte tepër vonë për çfarëdo ndihme, kështu që edhe cirku edhe fshati u dogjën plotësisht.
E morëm përsipër ta rrëfenim këtë histori me synimin për të sqaruar pozicionin e njeriut që, pavarësisht gjendjes ekonomike apo emocionale në të cilën ndodhet, pavarësisht ofertave apo joshjeve të përditshme që merr apo ka marrë dhe do marrë edhe në të ardhmen nga socialistët, sigurisht mendon se beteja me mazhorancën është dhe do jetë jo vetëm një betejë për pushtet, por shumë më tepër se kaq: është dhe do jetë një betejë për dinjitet. Në luftën për dinjitet të këtij njeriu, tjetri aktivizmin e tij në shoqëri e lexon dhe e ngatërron me rolin e klounit, mesazhin e të cilit, pavarësisht të vërtetës që mbart, as nuk e dëgjon, por edhe më keq akoma, as nuk e merr seriozisht. Në kostumin e tij mesjetar të klounit, apo gjithsesi nga cilado modë e vjetër qoftë ai, thjesht nuk merret seriozisht. Ai mund të thotë çfarë të dojë, përsëri etiketohet dhe klasifikohet, si të thuash, nga roli i tij.
Ky kloun, sado mundohet të sqarojë vëllain e tij se Shqipëria nën pushtetin e Edi Ramës nuk po shkon drejt një demokracie të konsoliduar, por në vend të kësaj, të gjithë ne, pa përjashtim, jemi duke parë krijimin e një sistemi kuazi-demokratik, ku veç mbretëron fasada e demokracisë dhe pluralizmit politik, ku gjithçka është pre e manipulimit të sistemit nga nëntoka politiko-kriminale, përsëri nuk merret seriozisht, edhe pse përpjekjet e tij janë titanike e të vazhdueshme. Autoritarizmi në rrethana të tilla është më i vështirë i identifikueshëm, sepse në rrethana të tilla pushteti, zakonisht, nuk vret, nuk persekuton në mënyrë aktive. Në përgjithësi, mediat lejohen të shprehin mendime kundër pushtetit, shoqëria civile bën punën e vet si mbikëqyrëse e qeverisë, ndërsa shtyllat e pushtetit duken se funksionojnë të ndara nga njëra-tjetra.
Pikërisht kjo monotoni e një përditshmërie kinse të zakonshme e bën pushtetin më perfid në kapjen e shtetit nga mbrapa, duke manipuluar dhe abuzuar me rregullat demokratike të lojës. Edi Rama është duke e luajtur më mirë se askush këtë lojë. Paralajmërimin e klounit se askush nuk është imun në këtë lojë, qytetarët nuk e marrin fare për bazë, edhe pse vendi është futur plotësisht, kryekëput, në kategorinë e demokracisë së rrëshqitshme. Pse ndodh kjo? Ndodh sepse Edi Rama është mbushur me mend. Ai nuk ka nevojë të ushtrojë terror mbi qytetarët, që t’i mbajë nën kontroll. Madje, nuk është e nevojshme as që të ketë një sistem njëpartiak. Përkundrazi, sot sistemi pluralist mundëson deri-diku zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa është pushteti i tij, i pari, ai që bën thirrje që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
Mirëpo, nën sipërfaqen e kësaj shtirjeje, normat dhe rregullat e sistemit demokratik që ka krijuar ai prej dymbëdhjetë vitesh në Shqipëri manipulohen ashtu sa që vështirë se mund të flasim për një demokraci të mirëfilltë, por në fakt për një sistem autokratik apo autoritar të qeverisjes. Dhe pikërisht këtu, nën vellon e kinse-demokracisë, nën petkun e paqes dhe stabilitetit shoqëror, fshihet natyra autoritare e qeverisjes së këtij individi.
Edi Rama e ka mësuar ta luajë këtë lojë më mirë se kushdo. Ai nuk ka nevojë për terror, as për sistem njëpartiak. Përkundrazi, sistemi pluralist, në pamje të parë, funksionon; zgjedhjet duken të lira. Ai vetë është i pari që thërret për respektimin e Kushtetutës. Por nën këtë sipërfaqe, rregullat janë manipuluar e shtrembëruar për dymbëdhjetë vjet me radhë, aq sa nuk kemi më demokraci të mirëfilltë, por një autoritarizëm të maskuar si stabilitet.
Mjafton të shihet mënyra se si u soll me Erion Veliajn. Kryeministri dha urdhërin për shkarkimin e tij. Të gjithë votuan pro, duke përdorur argumentin e mungesës në punë - një argument që vetë e kishin shpallur të pavlefshëm kur opozita e ngriti më herët. Askush nuk pati guxim të pyeste “pse atëherë jo, e pse tani?” Askush nuk mbrojti mikun e vet. Të gjithë iu nënshtruan. Dhe Veliaj, nga qelitë e Durrësit, shihte me mllef fytyrat anonime që ngrinin protagonizëm mbi fatkeqësinë e tij.
Një sjellje e tillë do të ishte e neveritshme edhe ndaj një kundërshtari politik. Por sot ajo është kthyer në normë brenda mazhorancës socialiste. Çdo anëtar, sipas mënyrës së vet, bëhet pjesë e dështimit dhe suksesit të saj. Asnjë nuk mund t’i shpëtojë plotësisht. Dështimi dhe suksesi janë të ndërthurur; njëri rri në hijen e tjetrit. Ky është fati i njeriut: të gjejë kuptimin e ekzistencës së tij në këtë duel të pafund mes humbjes dhe fitores, mes tundimit dhe sigurisë. Dhe ndoshta pikërisht dështimi, si kufi i përbashkët, mund të bëhet vendi i komunikimit.