‘Zhegrova, gati për 90 minuta’, përgatitësi personal tregon transformimin e ‘dardanit’

Përgatitësi personal i Edon Zhegrovës, Ardian Sallahu, ka dhënë një intervistë për “Tuttosport”, ku foli mbi gjendjen aktuale të yllit të Juventusit. “Edoni është në formë të plotë dhe mund të luajë pa problem një ndeshje të plotë 90-minutëshe. Kam punuar me të që ta kapërcejë dëmtimin dhe sot është më i fortë se kurrë”, u shpreh Sallahu.

Sipas tij, transformimi i futbollistit ka qenë i dukshëm si në aspektin fizik, ashtu edhe në forcimin muskulor: “Në këtë moment është në nivelin maksimal të përgatitjes dhe gati për çdo sfidë që e pret”.

Ai ndau edhe detaje nga puna e përbashkët: “Stërvitjet u përqendruan te kërkesat e rolit të tij, me ushtrime teknike me topin dhe lëvizje me ritëm të lartë. Kishim gjithashtu seanca të posaçme nën presion, për të simuluar situata tipike të lojës, ku duhej të merrte vendime të shpejta. E njoh që prej tre vitesh dhe kemi punuar së bashku edhe te kombëtarja e Kosovës”.

Në mbyllje, Sallahu e përshkroi Zhegrovën si një lojtar të veçantë: “Kam bashkëpunuar me shumë futbollistë, por Edoni është ndryshe. Ka mentalitet fituesi dhe nuk dorëzohet asnjëherë”.