Sulmet në zemër tek gratë e reja, shpesh diagnostikohen gabim
Arsyet pse të rinjtë pësojnë atake në zemër kanë qenë prej kohësh një mister, me arteriet e bllokuara para kohe që mendohet të jenë ndër shkaqet kryesore.
Por rezulton se ka një sërë faktorësh të tjerë "jo-tradicionalë" që luajnë një rol, veçanërisht tek gratë më të reja se 65 vjeç, sipas mjekëve në Klinikën Mayo në SHBA, të cilët kanë zbuluar dallime të rëndësishme midis burrave dhe grave, në mënyrën se si ndodhin sulmet në zemër.
Mbi gjysma e sulmeve në zemër të regjistruara tek gratë e tilla, pasuan "diseksion spontan të arteries koronare, embolizëm dhe gjendje të tjera, që nuk lidhen me pllakën e bllokimit të arteries", thanë studiuesit, pas një "studimi të bazuar në komunitet" të të dhënave nga Projekti i Epidemiologjisë së Rochester që mbuloi të dhënat rreth 15 vjet.
"Barra dhe mekanizmat patofiziologjikë të infarktit të miokardit (MI) tek pacientët më të rinj mbeten të studiuara pak", thanë mjekët, duke shpjeguar pse e kryen kërkimin.
"Shkaku më i zakonshëm i atakut në zemër tek të dy gjinitë ishte arterioskleroza, ose pllaka që bllokon arteriet, por kjo përbënte vetëm 47% të atakut në zemër tek gratë, krahasuar me 75% tek burrat", tha ekipi.
Edhe pse shkaqet e atakut në zemër tek gratë shpesh diagnostikoheshin gabim, incidenca e atakut në zemër ishte "dukshëm më e ulët" tek gratë sesa tek burrat, tha ekipi, duke diskutuar punimin e tyre të botuar nga Revista e Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë.
"Kur shkaku rrënjësor i një ataku në zemër keqkuptohet, kjo mund të çojë në trajtime që janë më pak efektive - ose edhe të dëmshme", paralajmëroi Claire Raphael, një kardiologe e Klinikës Mayo./ DPA News.