Pasi lau hesapet me Veliajn, Rama thërret njerëzit që përdori kundër tij në kryeministri
Një ditë pas shkarkimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj nga Këshilli Bashkiak, kryeministri Edi Rama nuk ka qëndruar duarkryq në lëvizjen e tij të radhës kundër Veliaj.
Pasi ‘lau hesapet’ me Erion Veliajn, tanimë të shkarkuar, pasditen e kësaj të mërkure, kreu i qeverisë mblodhi në Kryeministri, nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, të cilët nuk ngurruan të dilnin kundër kryetarit të tyre.
Takimi u zhvillua mesditën e kësaj të mërkure ku në fokus, sipas gazetares së Syrit, Ambrozia Meta, kanë qenë zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në kryeqytet pas vakancës së krijuara nga shkarkimi i Erion Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të këtij viti pas urdhër-arrestit të lëshuar nga GJKKO, për një sërë akuzash që rëndojnë ndaj tij nga SPAK.
E pranishme në takimin me nënkryebashkiakët e Tiranës, ishte edhe kandidatja e PS për postin e kryetarit të Bashkisë, Ogerta Manastirliu.