Frika për trazira popullore/ Policia u urdhërua nga lart që të tërhiqej në ndeshjen Partizani-Skënderbeu

Mefshtësia e policisë gjatë trazirave të forta në ndeshjen e përpara 2 ditëve, mes ekipit të Partizanit dhe Skënderbeut në Elbasan, ka habitur këdo që ndoqi ato pamje të dhunshme.

Pas ngjarjes së rëndë drejtori i Policisë së Elbasanit Alfred Çepe, është detyruar të pranojë hapur se policia është treguar shumë tolerante dhe nuk ka ndërhyrë fare në situatën e krijuar mes tifozëve gjatë ndeshjes së luajtur ditën e diel.

“Policia nuk ka ndërhyrë fare. Jemi treguar shumë tolerantë. Nga hedhja e stolave është dëmtuar një tifoz dhe një policë. Nuk ka të shoqëruar, por jemi duke identifikuar autorët pasi një pjesë e tyre ka ardhur e dehur. Tifozja e Partizanit u frikësua nga situata kaotike, por iu dha ndihma e parë”, deklaroi dy ditë më parë Çepe.

Por si është e vërteta e këtij veprimi të “çuditshëm” të policisë, e cila rrinte e vështronte ndërkohë që jo vetëm shkatërrohej i vetmi stadium i saktë që kemi, rrezikohej seriozisht jeta e futbollistëve në fushë, stafeve të ekipeve dhe mijëra shikuesve në stadium?

Burime të sigurta brenda policisë së Elbasanit kanë thënë për SYRI.net, se forcat e shumta që ishin vënë në gatishmëri me rastin e këtij eventi ishin gati për të ndërhyrë, por u urdhëruan që të prisnin pasi drejtori po konsultohej me shefat e mëdhenj në Tiranë. Ndërkohë që situata po agravonte, erdhi edhe urdhri që pritej; të mos ndërhyhet në asnjë mënyrë!

I njëjti burim ka thënë se drejtorit Çepe ka biseduar jo vetëm me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Hysni Çako, por edhe me ministrin Saimir Tahiri.

Të dy i kanë kërkuar shefit të bluve të Elbasanit të shmangin me patjetër konfrontimin me tifozët, pasi ka sinjale se pas kësaj, trazirat mund të përhapen nëpër qytetin e Elbasanit dhe rrezikonin të agravonin në një revoltë të madhe, ku do të përfshihej edhe popullsia vendase, këtë herë jo për arsye futbollistike.

Ka qenë kjo frikë që ashtu si deklaron vetë shefi i policisë Çepe, “policia nuk ka ndërhyrë fare, jemi treguar shumë tolerant” duke anashkaluar edhe ligjin për incidente të tilla të dhunshme ku rrezikohet jeta e mijëra njerëzve.

/SYRI.net