Buxheti 2026 - Rusia planifikon rritje taksash për të financuar luftën kundër Ukrainës

Rusia planifikon të rrisë taksën mbi vlerën e shtuar (TVSH), për të ndihmuar në financimin e luftës së saj në Ukrainë, tha të mërkurën Ministria e Financave.

Sipas propozimit të draftit të buxhetit të vitit 2026, norma e TVSH-së do të rritet në 22% nga 20% që është aktualisht. Qeveria tha se do të vazhdojë të përmbushë të gjitha angazhimet e politikave sociale, por renditi mbrojtjen, sigurinë dhe mbështetjen për ushtarët dhe familjet e tyre si "prioritete strategjike".

Shpenzimet ushtarake dhe të sigurisë, tashmë përbëjnë rreth 40% të shpenzimeve totale qeveritare në buxhetin e vitit 2025, sipas vlerësimeve të qeverisë.

Porositë e mëdha shtetërore për industrinë e mbrojtjes dhe pagesat e majme për ushtarët dhe familjet e tyre, kanë nxitur një periudhë rritjeje për ekonominë e luftës së Rusisë.

Por shenja të tendosjes po shfaqen në sektorët civilë, dhe inflacioni po shtrëngon buxhetet e familjeve.

Ministria e Financave tha se një normë më e ulët e TVSH-së prej 10% për ushqimet, ilaçet dhe mallrat për fëmijë do të mbetet e pandryshuar.

Rusia, nën urdhrat e Presidentit Vladimir Putin, ka zhvilluar një luftë në shkallë të plotë kundër Ukrainës fqinje për më shumë se tre vjet e gjysmë, pa asnjë pamje të fundit të konfliktit.

Propozimi i buxhetit ende kërkon miratimin e parlamentit, një hap që shihet gjerësisht si një formalitet në Rusi./ DPA News.