'Pseudo program qeverisës', Spahia: Qeveria po shmang debatet reale dhe tenton të heshtë opozitën

Deputeti i PD-së, Bardh Spahia, gjatë fjalës së tij në parlament u shpreh se parlamenti është vendi i fjalës dhe i përfaqësimit të opinionit të qytetarëve.

Ai theksoi nevojën për të diskutuar temat thelbësore që prekin jetën e përditshme të qytetarëve dhe kritikoi tentativat e mazhorancës për të shmangur debatet politike duke u fshehur pas çështjeve ligjore.

Deklarata:

Ky vend quhet parlament dhe është vendi i fjalës, vendi i përcjelljes së opinionit të votuesve, qoftë edhe nëpërmjet opozitës.

Doja të diskutonim për atë pseudo-program të qeverisë dhe jo të fshiheshim. I kërkoj kolegëve të mazhorancës të mos kërkojnë kleçka ligjore kur kjo është çështje thellësisht politike. Këtu nuk jemi për të diskutuar gramatikë apo sintaksë, por për të diskutuar çështje të rëndësishme për interesin e qytetarëve, siç është programi.

Këtu jemi për të diskutuar për çështje si programi, rendi e siguria, shëndetësia fusha që në çdo sondazh janë shqetësimi kryesor i qytetarëve, por që në mënyrë absurde kjo e drejtë po i hiqet opozitës shqiptare. Fshihemi pas kleçkave dhe gjetjeve ligjore për të hequr vëmendjen.