'Opozitës i'u hoq fjala në seancën plenare', Bozdo: Kuvendi u drejtua me një skenar që shkel Kushtetutën

Deputeti i PD, Eno Bozdo, gjatë fjalës së tij u shpreh se procesverbali i seancës së fundit duhet të reflektojë në mënyrë absolute se për herë të parë pas shumë vitesh kryeministri iu drejtua Kuvendit në një seancë të rëndësishme katërvjeçare, por se ai dhe shumica nuk kanë respektuar procedurat.

Ai kritikoi mënyrën si u trajtua seanca, duke theksuar se fjalën e kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ia hoqën padrejtësisht dhe se qytetarët u privuan nga mundësia për të ndjekur diskutimet mbi arsimin, shëndetësinë, energjinë dhe drejtimin e institucioneve.

Bozdo theksoi se kjo seancë u drejtua në një skenar që shkel Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit dhe kërkoi rikthimin e saj për të garantuar transparencë, respektimin e të drejtave parlamentare dhe funksionimin normal të institucionit.

Eno Bozdo:

"Në procesverbal duhet në mënyrë absolute të shënohet që për herë të parë pas kaq shumë vitesh, kryeministri i drejtohet Kuvendit në seancën më të rëndësishme 4-vjeçare në një film.

Duhet gjithashtu të shënohet se ju nuk keni qenë prezent; keni qenë prezent vetëm fizikisht, por nuk keni marrë asnjë vendim dhe nuk është thënë të merrni nga ju.

Seanca ishte drejtuar me shenja ndërmjet Edi Ramës e Taulant Ballës, dhe gjithashtu duhet të shënohet në detajet e rëndësishme, që u përmend edhe nga kolegët këtu.

Ju ia dhatë fjalën kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, që pas pushimit për procedurë do ta merrte ai fjalën, dhe reagimi i tij ishte pikërisht se ju i hoqët fjalën.

Ju drejtuat një skenar që të mos lejoni asnjë shqiptar të mos dëgjonte e shikonte se çfarë do ndodhte me arsimin, shëndetësinë, energjinë apo se kush do i drejtonte këto institucione, duke drejtuar një skenar për të mbyllur për 25 minuta këtë seancë në kushte të plota me shkelje kushtetuese.

Që në seancën e parë, ju si kryetar e keni shkelur Kushtetutën dhe rregulloren; keni shkelur edhe kushtin e rregullores për integrimin e Shqipërisë, dhe nëse doni ta zgjidhni këtë gjë, duhet ta riktheni atë seancë".