‘Rama ia dha fjalën ‘Diellës’, ndërpreu dhe punimet’/ Strazimiri-Peleshit: Mbi çfarë nenesh e keni drejtuar seancën e kaluar?!

Ligjvënësi demokrat Gent Strazimiri ka kërkuar nga kreu i Kuvendit Niko Peleshi, se kush e ka drejtuar seancën e kaluar, ku u votua programi qeverisës i PS.

Në fjalën e tij për procedurë, Strazimiri tha se ishte Rama ai që drejtoi dhe udhëhoqi parlamentin, duke i dhënë fjalën madje edhe ministres AI ‘Diella’, ndërsa i kërkoi Peleshit që të bëjë publike nenet ku është mbështetur për të drejtuar seancën e kaluar.

Seancën e shkuar s’e keni drejtuar ju. Rama i ka dhënë fjalën Diellës e jo ju, Rama paralajmëroi ndërprerjen e seancës dhe e ndërpreu, e jo ju. Kjo duhet ndryshuar. S’keni respektuar asnjë nen të Kushtetutës e Rregullores, për këto arsye, duhet ta përsërisni dhe njëherë seancën. Refuzoni t’i jepni fjalën përfaqësuesit të grupit parlamentar të PD, siç ia dhatë PS. Shënoni nenet që keni shënuar mbi seancën e kaluar që keni drejtuar’, u shpreh në fjalën e tij, Gent Strazimiri.