Konferenca e Kryetarëve miraton emrat e anëtarëve të opozitës në komisionet parlamentare, do votohen në seancë

Konferenca e Kryetarëve miratoi listën e anëtarëve të opozitës të komisioneve të përhershme të Kuvendit dhe të anëtarëve zëvendësues.

Lista u depozitua nga tre grupet parlamentare të opozitës. Kuvendi njofton se çështja i kalon për miratim seancës plenare së bashku me propozimet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të cilat u bënë me dije në mbledhjen e mëparshme.

Komisionet e përhershme parlamentare janë 11, 7 prej të cilëve drejtohen nga mazhoranca dhe 4 pritet t’i marrë opozita.

Seanca parlamentare pritet të nisë në orën 10:00. 

Nga 8 komisione parlamentare, në legjislaturën e këtij viti me urdhrin Ramës janë bërë 11 komisione, u ndryshuan emërtimet dhe fushat e përgjegjësisë. PD i quan antikushetuese dhe ka depozituar kërkesë në Gjykatë Kushtetuese ku kërkon të pezullimin e ndryshimeve të njëanshme të rregullores së Kuvendit deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës nga kjo gjykatë dhe shfuqizimin e plotë të tyre.

Lexo dhe: 'Rama ndërhyrje flagrante në Kuvend' PD kërkesë Gjykatës Kushtetuese: Pezulloni dhe shfuqizoni ndryshimin e rregullores së Kuvendit

PD ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, duke e akuzuar se ka përdhosur parlamentin dhe ka minuar debatin politik duke iu referuar seancës së 18 shtatorit ku përbërja e qeverisë dhe programi qeveritar kaluan brenda 5 minutave pa debat. PD kërkon ripërsëritjen e seancës. Mos lejimi i debatit në seancën e 18 shtatorit u pa me shqetësim dhe kritikua ashpër edhe nga BE. 

11 Komisionet Parlamentare dhe drejtimi i tyre:

Komisioni për Ekonominë Punësimet dhe Financat - Mazhoranca

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike - Mazhoranca

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen - Mazhoranca

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet - Opozita

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale - Opozita

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Mjedisin - Mazhoranca

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik - Opozita

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural - Mazhoranca

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën - Opozita

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme - Mazhoranca

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale – Mazhoranca.