'Kush e ka vjedhur Qytetin Studenti?'- Aktivisti Aurel Kujtimi: Urdhri për dhunë ndaj studentëve ka ardhur nga lart!
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, aktivisti Aurel Kujtimi ka bërë një deklaratë tronditëse lidhur me gjendjen në Qytetin Studenti, ku sipas tij, studentët jo vetëm përballen me kushte mjeruese dhe godina të amortizuara, por tani po përballen edhe me dhunë shtetërore. Kujtimi denoncoi ndërhyrjen e paligjshme të policisë në ambientet universitare dhe mënyrën skandaloze se si janë trajtuar studentët në prag të vitit të ri akademik, duke theksuar se urdhrat për këtë dhunë vijnë “nga lart”.
Në një apel të drejtpërdrejtë për drejtësi dhe transparencë, ai ngriti pyetje të forta mbi menaxhimin e fondeve publike, duke akuzuar administratën për fryrje artificiale të stafit dhe zhdukje të parave që duhet të ishin investuar për studentët. Kujtimi konfirmoi se ka dorëzuar prova në SPAK dhe kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, duke e quajtur këtë situatë një abuzim të rëndë me të ardhmen e rinisë shqiptare.
“Kush e ka vjedhur Qytetin Studenti, duhet të përgjigjet para ligjit,” u shpreh ai.
Pjesë nga deklarata:
Kampusi universitar duhej të ishte ndërtuar prej kohësh, por nuk e kemi ende. Për pasojë, shohim sot dhunë ndaj studentëve. Policia nuk ka të drejtë të hyjë në institucionet arsimore pa urdhër nga lart. Këtë e dinë edhe institucionet përkatëse urdhri ka ardhur nga lart.
Është ushtruar dhunë ndaj studentëve. Mënyra se si janë kapur studentët për krahu dhe janë nxjerrë jashtë është e papranueshme. Pritja që u është bërë studentëve në prag të fillimit të vitit akademik është skandaloze, ndërkohë që institucionet duhet të jenë në shërbim të studentëve.
Është skandaloze të jepet urdhër për të dhunuar dhe për të larguar studentët në atë mënyrë, në vend që të jepet zgjidhje. Kushtet në godinat 7, 9, 10, 24, 25, 26, 27... janë skandaloze. Nuk ka asgjë janë thjesht dhoma bosh. U premtua një kampus i madh. Ku është ai?
Po fondet, ku kanë shkuar? Si janë menaxhuar? Edhe ju vetë pranoni se nuk ka kushte, ndërkohë që të ardhurat vjetore në Qytetin Studenti arrijnë në 2 milionë euro. Ku kanë shkuar këto para dhe si janë përdorur?
Administrata ka qenë e fryrë: 30 elektricistë, 40 punonjës... që do të thotë se pagat kanë shkuar për njerëz që nuk kanë qenë asnjë ditë në punë. Këto para nuk kanë shkuar për studentët.
Ka edhe një tjetër problem që drejtuesit duhet ta dinë: trualli ku ka qenë Rezidenca nr. 1 i ka kaluar Kolegjit Europian. Këtë e ka thënë vetë kryeministri.
Unë do të ndihesha shumë i nderuar që të gjitha provat që kam dorëzuar në SPAK t’i marrë në rrugë ligjore dhe personat që kanë abuzuar në Qytetin Studenti të dalin para drejtësisë.