Debutim i hidhur për talentin italian te Liverpooli, del nga fusha me barelë
Një mbrëmje që duhej të ishte e paharrueshme për Giovanni Leonin u shndërrua në ankth. Mbrojtësi italian, i ardhur këtë verë nga Parma, debutoi më në fund me fanellën e Liverpoolit, pasi nuk ishte përfshirë në ndeshjet e para të kampionatit.
Trajneri Arne Slot i besoi një vend titullari kundër Southamptonit, në Kupën e Ligës, dhe Leoni shpërbleu pritshmëritë me një paraqitje solide, duke fituar duartrokitjet e tifozëve për pjekurinë dhe sigurinë në lojë, pavarësisht se është vetëm 19 vjeç (i vitit 2006).
Por gëzimi zgjati pak. Në minutat e fundit, gjatë një ndërhyrjeje për të ndalur kundërshtarin, Leoni pësoi një dëmtim të rëndë në gju dhe kërkoi menjëherë ndihmën e stafit mjekësor. Ai u largua nga fusha me barelë, mes shqetësimit të madh të shokëve të skuadrës dhe publikut në “Anfield”.
Liverpooli pritet të konfirmojë gjendjen e lojtarit pas ekzaminimeve mjekësore, por frika është se bëhet fjalë për një dëmtim serioz që mund ta mbajë jashtë fushës për një kohë të gjatë.
Një debutim premtues që përfundoi në lot dhe ankth, ndërsa bota e futbollit pret me padurim lajmet për gjendjen e talentit italian.