Trump: Do t’i kërkoj Orban që Hungaria të ndalojë blerjen e naftës ruse
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha mbrëmë se do t’i kërkojë kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, që ta ndalojë Budapestin të blejë naftë ruse.
“Ai është miku im. Nuk kemi folur, por mendoj se nëse e telefonoj, ai mund të ndalojë (blerjen e naftës ruse). Dhe mendoj se do ta bëj këtë”, tha Trump, përpara një takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Nju Jork, raporton Reuters.
Trump u ka bërë vazhdimisht thirrje vendeve evropiane që të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia, përfshirë edhe dje gjatë një fjalimi në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar presion shtesë mbi Presidentin Vladimir Putin për të ndaluar luftën në Ukrainë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha pas fjalimit të Trump se ai ka të drejtë dhe se po punojnë që Evropa të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia deri në fund të vitit.
Edhe pse vendet evropiane ndaluan blerjen direkte të naftës ruse pas fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022, disa shtete anëtare të BE-së vazhdojnë ta blejnë atë, me disa që importojnë naftë nga India dhe Turqia, ku nafta ruse përpunohet në këtë lloj karburanti.