Vjedhje në Gjakovë, pesë persona të paidentifikuar dyshohet se vodhën 120 mijë euro në një shtëpi

Mëngjesin e sotëm, pesë persona të paidentifikuar dyshohet se kanë kryer një vjedhje në një shtëpi në fshatin Novosellë e Epërme, Gjakovë, ku kanë marrë rreth 120 mijë euro dhe një pistoletë me nëntë fishekë.

Ngjarjen e ka konfirmuar Policia e Gjakovës, ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka deklaruar se rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë”.

“Sot rreth orës 08:30, persona të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi ku kanë vjedhur një armë zjarri dhe një shumë të konsiderueshme parash. Njësitë policore kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Rasti është raportuar edhe te prokurori i shtetit, dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes,” ka thënë Elezaj për Reporteri.net.