Të flasësh me një 'mik' virtual- Si po kthehet inteligjenca artificiale në shok, psikolog dhe madje partner emocional
Teknologjia nuk ka qenë kurrë kaq e pranishme në jetën tonë të përditshme sa sot, me zhvillimin e inteligjencës artificiale. Programet e IA-së janë bërë tashmë një pjesë e zakonshme e rutinës sonë. Ato mund të na japin këshilla gatimi, të shpjegojnë terma shkencorë për një provim, apo madje të ofrojnë sugjerime për çështje sentimentale.
Një nga shembujt më të spikatur është ChatGPT, i cili për shumë njerëz është shndërruar në bashkëbisedues të përhershëm, në një lloj “besimtari sekret” e madje edhe në një “partner virtual”.
Ekspertët thonë se ky fenomen nuk është rastësor. Sipas teorisë së lidhjes emocionale, njeriu kërkon siguri në marrëdhënie dhe priret t’i drejtohet atyre që janë të disponueshme, të parashikueshme dhe që i përgjigjen nevojave të tij. Pikërisht këto cilësi i ofrojnë chat bot-et si ChatGPT: gjithmonë të pranishëm, me përgjigje të menjëhershme dhe me një gjuhë që shpesh shfaq empati.
Një studim i Nereim & Shank (2021) zbuloi se përdoruesit që komunikojnë rregullisht me sisteme inteligjence artificiale, shpesh përjetojnë “marrëdhënie parazitare”, lidhje njëanshme me ngarkesë të fortë emocionale. Ndërkohë, chat bot-et krijojnë një iluzion empatie: nëse i rrëfen një ngjarje që të ka shkaktuar ankth, frikë apo pasiguri, përgjigjja nuk do të jetë gjykim apo kritikë, por fjalët që shumica e njerëzve dëshirojnë të dëgjojnë: “E kuptoj plotësisht se si ndihesh”.
Hulumtimet e Finzpatrick et al. (2022) tregojnë gjithashtu se aplikacione digjitale me funksion terapik, si Woebot, kanë ndihmuar në uljen e niveleve të ankthit dhe simptomave depresive brenda disa javësh përdorimi.
Specialistët paralajmërojnë se ndërsa këto platforma ofrojnë mbështetje dhe ngushëllim të menjëhershëm, ato gjithashtu mund të krijojnë varësi emocionale, duke zëvendësuar komunikimin real me marrëdhënie virtuale. Megjithatë, fakti që një softuer mund të ofrojë lehtësim psikologjik tregon se inteligjenca artificiale nuk është më thjesht një mjet teknologjik, por një faktor i ri në mënyrën se si njerëzit kërkojnë afërsi, kuptim dhe mbështetje.