VIDEO/ Paloka: Kemi një situatë politike absurde, prej 12 vitesh manipulohen zgjedhjet nga Edi Rama
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka folur për situatën politike në vend gjatë një interviste në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, ku ka theksuar se opozita ndodhet në një situatë paradoksale dhe absurde.
‘Nga dita e parë që Rama ka ardhur në pushtet dhe organizon këto farsat zgjedhore, nuk ka ndryshuar asgjë. Vendimi i parë që duhet të marrim është do hyjmë apo jo në këto zgjedhje.’ u shpreh Paloka, duke kujtuar se vendimet merren nga forumet e partisë.
‘Ne kemi marrë një vendim, kemi futur në status mosbojkotimin, pjesëmarrjen në zgjedhje. Ne jemi praktikisht në një situatë paradoksale, absurdi politik ne si opozitë, mbase prandaj dhe merren kaq shumë e bëhen sulme të pamerituara. Nuk jemi ne armiku.’, shtoi ai.
Paloka pranoi se opozita mund të ketë gabime dhe defekte, por theksoi se është e detyruar të marrë pjesë në proceset politike.
‘Marrim parlamentin vetëm. Ne nuk njohim zgjedhjet, por futemi në parlament. Si shihet në opinion kjo sjellje e jona, që unë them është e detyruar. Ti do të bësh opozitë. Ky të vjedh, ka 12 vjet që manipulon zgjedhjet dhe ti je i detyruar të hysh se, duke mos hyrë e provuam njëherë çfarë ndodh. Edhe ikjet nga parlamenti e dimë se çfarë ndodhi.’, theksoi deputeti demokrat.
Ai e quajti ‘absurd’ faktin që opozita nuk njeh zgjedhjet, por megjithatë merr pjesë në parlament dhe në komisionet zgjedhore.
‘Prandaj them është një absurd që nuk pranojmë zgjedhjet, por hyjmë në parlament. Nuk njohim ndarjet e komisioneve, por duhet të çojmë njerëzit tanë nëpër komisionet, sepse ne e dimë se çfarë ndodh nëse nuk hyjmë.’, tha deputeti Edi Paloka në SYRI TV.